Debat: Gazetaria hulumtuese është shans për mbijetesë të gazetarisë tradicionale
Gazetaria hulumtuese. Sfidat me të cilat përballen gazetarët hulumtues. Mungesa e vullnetit nga vet redaksitë e mediave. Ishin vetëm disa nga segmentet që ishin në fokusin e panel diskutimit me titull: “Gazetaria hulumtuese në periudhën e kaosit të informacionit”, e organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Mediave në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk. Profesoresha […]


Gazetaria hulumtuese. Sfidat me të cilat përballen gazetarët hulumtues. Mungesa e vullnetit nga vet redaksitë e mediave. Ishin vetëm disa nga segmentet që ishin në fokusin e panel diskutimit me titull: “Gazetaria hulumtuese në periudhën e kaosit të informacionit”, e organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Mediave në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.
Profesoresha universitare Jana Baçovska- Nediq në paraqitjen e saj theksoi se mediat duhet më tepër të nxisin qytetarin të lexojnë, ta edukojnë qytetarin dhe të kenë produkte të mirëfillta gazetareske.
“Pak punojmë. Problemi është global, por te ne është më i madh. Gazetaria hulumtuese është thelbi i gazetarisë. Gazetarët hulumtues janë në OJQ, zakonisht financohen nga jashtë. Në çdo gazetari ka hulumtim, po gazetaria hulumtuese është zhanër tjetër. Gazetaria hulumtuese është nga profesionet më të rrezikshme, përballen me shumë sfida”, tha Baçovska- Nediq.
Sefer Tahiri, profesor universitar në diskutimin e tij veçoi se gazetaria hulumtuese është gazetari e veçantë. Sipas tij, gazetaria hulumtuese është shans për mbijetesë të gazetarisë tradicionale.
“Devijimet sollën më shumë klikime. Kudo është njejtë, në rajon e më gjerë. Kapaciteti i financiar i mediave pamundëson gazetarinë hulumtuese. Me këso pagash, vështir dikush do t’i rreket punës kundër të fortëve dhe nëntokës. Duhen më shumë mjete” porositi Tahiri.
Nga ana tjetër, Maja Jovanovska gazetare hulumtuese, duke u bazuar në përvojën personale u ndal te sfidat dhe peripecitë që i kalon një gazetar hulumtues në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk luftojmë për klikime dhe shpërndarje. Jemi nën kërcënime. Lufta jonë me të fortët është e padrejtë. Fokusi ynë është korrupsioni, krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit. Nuk ka vullnet nga mediat për gazetari hulumtuese, politika dikton gjithçka. Ka frikë. Është e kuptueshme. Nuk ka inkurajim, s’ka redaksi që nxisin gazetarinë hulumtuese”, tha Jovanovska.
Ndryshe, Qendra për Zhvillimin e Mediave ka promovuar broshurën për verifikim. Dejan Georgievski nga QZHM theksoi se broshura ofron këshilla praktike se si të verifikohet dhe përdoret informacioni.
“Edhe pse kryesisht i destinuar për gazetarë, manuali mund të përdoret nga kushdo. Këshillat dhe udhëzimet do të jenë po aq të dobishme për gazetarët, punonjësit në shërbimet për ndihmë, vullnetarët, studentët e gazetarisë, specialistët e komunikimit në kohëra krizash ose akademikët që studiojnë mediat sociale”, tha Georgievski.
Broshura u zhvillua dhe u prodhua nga Qendra Evropiane e Gazetarisë, me seli në Holandë, si pjesë e iniciativës “Gazetaria në kohë krizash”.