Arben Fetai shmang përgjigjen: As nga kuvendi s’tregon kush e përpilon ligjin për përfaqësim të drejtë dhe pse nuk është sjellë në kuvend
Zëvendëskryeministri Arben Fetai nuk u përgjigj në pyetjen e deputetit të BDI-së Ilir Hasani se kur do të vijë në parlament zgjidhja ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat di dhe kush e përbën ekipin që e përpilon këtë ligj. Në vend të përgjigjes për atë çfarë u pyet, Fetai u përgjigj me pyetje për […]


Zëvendëskryeministri Arben Fetai nuk u përgjigj në pyetjen e deputetit të BDI-së Ilir Hasani se kur do të vijë në parlament zgjidhja ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat di dhe kush e përbën ekipin që e përpilon këtë ligj. Në vend të përgjigjes për atë çfarë u pyet, Fetai u përgjigj me pyetje për atë çfarë nuk bëri BDI në të kaluarën, shkruan Portalb.mk.
Deputeti Ilir Hasani përmendi se ka kaluar një vit dhe se ligji nuk është sjellë ende në parlament.
“Një vit kaloi. Po premtoni se do ta bëni më të mirë se ligji për përdorimin e gjuhëve. Sa herë që ju kanë pyetur gazetarët, jeni përgjigjur: jo këtë muaj, jo muajin e ardhshëm, jo këtë të enjte, të enjten tjetër… Disa ju kundërshtuan publikisht dhe thanë se nuk janë pjesë e atij ekipit. Pyetja ime është e thjeshtë cili është ekipi që po e përgatit ligjin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe kur do të vijë ligji në parlament?”, pyeti deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, nga foltorja e parlamentit.
Në vend të përgjigjes në pyetjen konkrete, zëvendëskryeministri Arben Fetai ia kujtoi deputetit Hasani çështjet që BDI në të kaluarën si parti në pozitë i kishte neglizhuar.
“Si në çështjen e gjuhës, si në çështjen e decentralizimit dhe të gjitha çështjet tjera që janë shtylla të Marrëveshjes së Ohrit ju keni sjellë improvizime të një pas njëshme. Nuk keni rregulluar me ligj asnjë çështje, sepse keni qenë më të zënë me tenderë, mallverzime dhe me korrupsion. Tash unë dua t’ju pyes a jeni ju ata trima që e keni lënë Akademinë e shkencave me zero përfaqësues shqiptar aty?”, tha mes tjerash zëvendëskryeministri Fetai.
Më konkret se çka do të ndodhë me zgjidhjen e shumë pritur ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka qenë kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, ligji për përfaqësim të drejtë është gati.
“Pritet në seancat e radhës të qeverisë të kalojë, të informohet publiku, pastaj do ta çojmë në Komisionin e Venedikut për mendim, normalisht do të presim mendim nga Komisioni i Venedikut, dhe të shohim, nëse kemi bërë diçka mirë, menjëherë e lëshojmë në procedurë parlamentare. Shumë kemi pasur kujdes, shumë jemi konsultuar me ekspertë kushtetues, sepse ka parti politike që kur nuk merren me nekrofili, merren me nacionalizëm. Nuk na duhet ndasi tani, kur po përpiqemi që ta bashkojmë shoqërinë. Është kategori kushtetuese dhe duhet të respektohet, njëjtë siç është kategori kushtetuese se gjuhë zyrtare është maqedonishtja dhe shkrimi cirilik, kurse bashkësitë që janë më tepër se 20%, në këtë rast shqiptarët, në nivel qendror mund ta përdorin gjuhën shqipe si gjuhë të tyre, si gjuhë zyrtare”, tha Mickoski.
Kujtojmë zotimin e zëvendëskryeminstrit Fetai më 6 janar, 2025:
“Jemi zotuar dhe jemi duke punuar në sjelljen e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, që për herë të parë do të shndërrojë këtë parim kushtetues në ligj që krijon obligime, mekanizma kontrolli dhe sanksioni për institucionet. Jemi në fazën finale të përgatitjes së ligjit. Grupet punuese janë takuar shumë herë, prej shtatorit e këndej dhe jemi shumë afër produktit final. Dhe besoj që javët e para të këtij viti të kemi produktin final që do lëshohet në procedurë ligjvënëse nga koalicioni qeveritar”.
Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit reagoi për zvarritjen e miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore. Partia kritikoi planin e qeverisë, për ta dërguar fillimisht ligjin në Komisionin e Venedikut, duke e cilësuar këtë si taktikë bllokuese nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit VLEN. Nga aty kërkuan që ligji të miratohet fillimisht në kuvend dhe më pas t’i nënshtrohet vlerësimit ndërkombëtar, për të garantuar barazinë dhe shmangur keqpërdorimet politike.
Procesit të përpilimit të kësaj zgjidhje ligjore që nga fillimi i ka munguar transparenca. Fillimisht u premtua debat publik. Mirëpo, opinioni nuk pa asnjë debat publik për ligjin. Nga një prolongim në tjetër, procesi hodhi dyshime në opinion për një ligj të dobët dhe jo në dobi të shqiptarëve.
Kujtojmë se, Portalb.mk, jo nga transparenca e bartësve politik të procesit, por nga burime tjera ka njoftuar se ekipin që punon në zgjidhjen ligjore e përbëjnë: Tanja Karakamisheva, Aleksandar Spasenovski, Denis Preshova, Jeton Shasivari dhe Mersim Maksuti.
Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afate. Portalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: Derisa t’i kalojë të gjithë fazat, Ligji për përfaqësim të drejtë mund të vonojë edhe më shumë se një vit
- LEXO: ASH pyet VLEN-in: Pse nuk keni guxim të pranoni se VMRO-DPMNE po stagnon me qëllim miratimin e ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat?
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë në RMV: Premtime pa afat dhe përsëritje e refrenit “shumë shpejtë”
- LEXO: Balancuesi iku, Ligji për përfaqësim të drejtë s’erdhi: RMV-ja pa kontroll në përfaqësimin etnik, VLEN nuk i mbajti premtimet