VLEN thotë se kanë punësuar 38 shqiptar, Taravari: Nuk mbulohet dielli me shoshë, larguat 800 shqiptarë nga puna

Koalicioni VLEN u lavdërua për punësimin e 38 shqiptarëve në sektorin e librave amë, duke e paraqitur si hap drejt përfaqësimit institucional. Në kundërpërgjigje, Aleanca për Shqiptarët e kritikoi këtë si përpjekje për të fshehur diskriminimin në rritje, duke pretenduar se mbi 800 shqiptarë janë larguar nga puna që nga qershori 2024, transmeton Portalb.mk. “Si […]

qershor 13, 2025 - 13:30
 0
VLEN thotë se kanë punësuar 38 shqiptar, Taravari: Nuk mbulohet dielli me shoshë, larguat 800 shqiptarë nga puna
Arben Taravari dhe Izet Mexhiti. Foto nga profili i Mexhitit në Facebook

Koalicioni VLEN u lavdërua për punësimin e 38 shqiptarëve në sektorin e librave amë, duke e paraqitur si hap drejt përfaqësimit institucional. Në kundërpërgjigje, Aleanca për Shqiptarët e kritikoi këtë si përpjekje për të fshehur diskriminimin në rritje, duke pretenduar se mbi 800 shqiptarë janë larguar nga puna që nga qershori 2024, transmeton Portalb.mk.

“Si subjekt që VLEN, me kënaqësi dhe krenari njoftojmë opinionin publik se, për herë të parë pas shumë dekadash, 38 shqiptarë kanë nisur punë në sektorin e librave amë i cili është një hap i madh drejt barazisë, përfaqësimit të dinjitetshëm dhe integrimit real institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Punësimet e qytetarëve tanë tashmë kanë filluar, ky hov nuk ndalet dot. Bllokadat e sponsorizuara nga BDI përmes Taravarit morën fund. Tani çdo ditë e më shumë rritet numri i shqiptarëve që po punësohen në institucione të shumta. Po me këtë ritëm do të vazhdojmë akoma. Ne punësojmë sepse qytetarët tanë janë të aftë për të punuar. Punësimet tona nuk bëhen me kushtëzime e mito, por mbi bazën e meritës dhe parimit që njeriu i duhur në vendin e duhur”, thuhet në njoftim.

ASH-ja e Taravarit nga ana tjetër thotë se VLEN, me pompozitet dhe për të larguar vëmendjen nga dështimet e mëdha politike dhe administrative,  njofton për disa punësime në Drejtorinë e Librave Amë. Këto lajme, sipas ASH-së serviren si suksese për të mbuluar realitetin e hidhur në terren: diskriminimin sistematik dhe spastrimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

“Të dhënat janë të qarta dhe alarmante. Vetëm në javën e fundit:
• Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari u punësuan 21 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
• Në ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë” – Strugë, 11 shqiptarë u pushuan nga puna pa asnjë shpjegim ligjor.
• Në Policinë e Tetovës, qytet me shumicë shqiptare, u pranuan 12 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.
• Në Ministrinë e Financave u shpall konkurs për 40 vende pune – u punësuan 19 maqedonas, sepse vetëm aq kishin aplikuar, ndërsa 21 pozita u anuluan për të shmangur punësimin e shqiptarëve”, thonë nga ASH.

Sipas të dhënave, shton ASH, nga burime të pavarura dhe raportime të besueshme, që nga qershori i vitit 2024, kur pushteti kaloi në duart e VMRO-DPMNE-së dhe satelitëve të saj politikë, mbi 800 shqiptarë janë larguar apo detyruar të largohen nga administrata publike.

Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndonëse përbëjnë 29 përqind të popullsisë, ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur të përfaqësimit në institucionet shtetërore. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve çalon në disa nga institucionet më të rëndësishme shtetërore.

Nga të dhënat e siguruara rezulton se në Presidencë, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO dhe Agjencinë e Administratës, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar.

Së fundmi, asnjë sportist shqiptar nuk u gjet në mesin e 22 sportistëve të dekoruar me medalje për arritje të larta në këtë fushë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Sportit. Ky trajtim ka ngjallë reagime nga sportistët në vend dhe partitë politike.

Kujtojmë se, Portalb.mk në vazhdimësi ka shkruar për diskriminimin institucional të shqiptarëve, me theks mungesën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në vendimmarrje. Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndonëse përbëjnë 29 përqind të popullsisë, ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur të përfaqësimit në institucionet shtetërore. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve çalon në disa nga institucionet më të rëndësishme shtetërore.