Vazhdojnë sot gjyqet ndaj Merkos për emërimet e paligjshëm të drejtorëve në disa shkolla

Në Gjykatën Themelore në Strugë sot do të vazhdojë gjykimi ndaj kryetarit Ramis Merko për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat ​​fillore në Komunën e Strugës, transmeton Portalb.mk. Shkollat ​​në Labunishtë, Ladorishtë dhe Podgorci janë shkrirë në një lëndë, ndërsa dy lëndë të veçanta drejtohen për shkollat në Veleshtë dhe “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë. Në […]

Prill 10, 2025 - 11:45
 0
Vazhdojnë sot gjyqet ndaj Merkos për emërimet e paligjshëm të drejtorëve në disa shkolla
Ramis Merko në foltore në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës - Burimi i fotografisë faqja zyrtare e IUS

Në Gjykatën Themelore në Strugë sot do të vazhdojë gjykimi ndaj kryetarit Ramis Merko për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat ​​fillore në Komunën e Strugës, transmeton Portalb.mk.

Shkollat ​​në Labunishtë, Ladorishtë dhe Podgorci janë shkrirë në një lëndë, ndërsa dy lëndë të veçanta drejtohen për shkollat në Veleshtë dhe “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë.

Në rastin e shkollës “Zini Hani” në Veleshtë, përveç Merkos akuzohen edhe katër persona të tjerë për shpërdorim detyre dhe falsifikim. Sipas aktakuzës, përveç emërimit të paligjshëm të Egzona Shej drejtoreshë, ajo akuzohet edhe për falsifikim të diplomave.

Në rastin e shkollës fillore “Vëllezërit Miladinovci”, Merko akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme e ka emëruar Albana Zhutën ushtruese të detyrës së drejtoreshës dhe drejtoreshë e shkollës, edhe pse nuk i plotësonte kushtet, pra nuk ishte emëruar nga radhët e punonjësve, nuk e dha provimin e drejtorit dhe nuk kishte certifikatë përkatëse të njohjes së gjuhës angleze.

Dëshmitarët e këtyre rasteve, të cilët sipas gjyqtarit Jordan Jovanov nuk janë paraqitur në gjykimet e mëparshme për arsye të pajustifikuara, sot duhet të shoqërohen me ndihmën e policisë.

Ndaj Merkos u zhvilluan dje dy procese gjyqësore, për blerjen e një makine Audi A6 për nevoja të Komunës dhe për vendosjen e paligjshme të një pllake përkujtimore në godinën e komunës. Ai është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara (SHBA) për përfshirje në korrupsion.

Zyrtari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Strugës, Ramis Merko, ndiqet për 20 vepra penale. MPB-ja, nga viti 2007 e deri në viti 2024 i ka ngritur 12 padi penale. 18 vepra kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe dy për pakujdesi gjatë punës në shërbim. Kallëzimi i fundit penal kundër Merkos është më 16 dhjetor 2024 dhe kishte të bënte me punë të pakujdesshme në shërbim.