Tragjedia në Koçan, 20 pacientë në gjendje kritike, ka gjasa të dërgohen për mjekim jashtë Maqedonisë
Njëzet nga pacientët më të lënduar nga zjarri në diskotekën e Koçanit në RMV, ka gjasa të transferohen për trajtim jashtë vendit, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, pas vizitës në Spitalin klinik në Shtip. Sipas tij, pacientët do të transportohen për trajtim në Bullgari, Turqi, Greqi dhe Beograd, ndërsa trajtimi është ofruar edhe […]


Njëzet nga pacientët më të lënduar nga zjarri në diskotekën e Koçanit në RMV, ka gjasa të transferohen për trajtim jashtë vendit, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, pas vizitës në Spitalin klinik në Shtip.
Sipas tij, pacientët do të transportohen për trajtim në Bullgari, Turqi, Greqi dhe Beograd, ndërsa trajtimi është ofruar edhe nga Shqipëria dhe Holanda.
“Sipas anesteziologëve tanë, 18 deri në 20 pacientë do të duhet të transportohen jashtë vendit për trajtim të mëtejshëm për rastet më kritike. “Ia lashë ekipit të anesteziologëve të përcaktojë se ku mendojnë se do të ishte më mirë për trajtimin e mëtejshëm për pacientët më kritikë”, tha ministri.
Në Spitalin e Shtipit janë shtruar 39 të mitur, të cilët, siç tha Taravari janë në gjendje relativisht të mirë. Në përgjithësi kanë pasur djegie, por disa kanë pasur edhe fraktura.
“Nëse ka nevojë për transferim në Qendrën Klinike – Shkup, ne do të intervenojmë”, theksoi ministri.
Në Spitalin e Koçanit ka 30 pacientë, 31 në Qendrën Klinike në Shkup, 28 në Kirurgjinë e qytetit dhe 24 në “8 Shtatori”. Shumica e të shtruarve në spital, theksoi ai, janë shumë të rinj.
Sipas Taravarit, spitalet kanë mjete mjekësore, pajisje dhe ilaçe dhe pacientëve u jepet gjithçka që u nevojitet, si dhe kanë sasi të mjaftueshme të derivateve të gjakut.
Ndryshe, pesëdhjetë e nëntë persona kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu mbrëmë në diskotekën Pulse në Koçan, njoftoi ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në Koçan në deklaratën e tij në ora 12.00, transmeton Portalb.mk.
LEXO MË SHUMË NË: