Taravari flet për të gjitha, nga zhvillimet në VLEN e deri te eurointegrimet: Vazhdojmë në Qeveri, nëse VLEN shkrihet – për hajër u qoftë
Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë dhe kryetar i Aleancës për Shqiptarët, mbrëmë në emisionin në Click Plus në TV21 ka folur për shumë çështje, duke filluar nga trazirat në koalicionin VLEN, e deri te Aleanca në mbrojtje midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, për të cilën tha se do të ishe ide […]


Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë dhe kryetar i Aleancës për Shqiptarët, mbrëmë në emisionin në Click Plus në TV21 ka folur për shumë çështje, duke filluar nga trazirat në koalicionin VLEN, e deri te Aleanca në mbrojtje midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, për të cilën tha se do të ishe ide e mirë që t’i bashkohet edhe Maqedonia e Veriut. Mirëpo, në pyetjen e Portalb.mk drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, nëse vendi mund të bëhet pjesë e kësaj aleanca, tërthorazi thanë se një gjë e tillë s’ka nevojë të ndodhë dhe nuk do të ndodhë, pasi tashmë ka bashkëpunime dypalëshe me shtetet përkatëse.
“Aleanca që ndodhi mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, që më pëlqen dhe që do të mund t’i bashkëngjitet e Bullgaria… Me gjithë këto zhvillime që ndodhin në Serbi… Do të ishte super që Aleancës t’i bashkohet edhe Maqedonia. Se kemi diskutuar ende. Mua ideja më pëlqen shumë. Duhet ta diskutojmë, por nuk ka ardhur rasti”, tha Taravari.
Taravari foli edhe për zhvillimet e fundit brenda koalicionit VLEN. Ai tha se ka parandjerë se Mexhiti, Gashi dhe Kasami kanë qenë të koordinuar për çdo gjë. Ai kritikoi kuadrot e koalicionit VLEN duke thënë se ka zëvendësministra që nuk shkojnë në punë.
“Ka zëvendësministra që nuk shkojnë në punë ose shkojnë një ditë në javë në punë. Në aspekt kuantitativ është në rregull, në aspekt kualitetiv, mendoj se ngecin”, tha ai.
Taravari: “E kam parandje, intuitë se këtu këto 3 janë të koordinuar për çdo gjë. Edhe unë vij në pozicion të jem gjithmonë 3 me 1. Dmth 75% me 25% për çdo gjë. 3 me 1 me mbi votim, kështu që hipotetikisht unë e kisha bë grupin parlamentar i kam thanë nëse e shihni të arsyeshme.
TV21: Kur thoni i kam thënë, i keni thënë VLEN-it apo Mickoskit?
Taravari: Mickoskit, e kemi biseduar sot, mendoj se si ASH do të vazhdojmë.
Kreu i ASh-së tha se koalicioni VLEN nëse bashkohet në një parti, Aleanca për Shqiptarët është për të bashkëpunuar në zgjedhjet lokale.
“Ne (ASh) në Qeveri normalisht vazhdojmë. Nëse VLEN vendos të bashkohet, ne s’kemi qare tjetër, vazhdojmë me grupin tonë parlamentar. Ne vazhdojmë në Qeveri. Nuk është vënë në pikëpyetje. Tash për tash… Do ta sqaroj për publikun… Ne do të mundohemi deri në atomin e fundit që ta mbajmë VLEN-in. Në qoftë se ka një vendim që unë s’e di, e që është se ata do të bashkohen, unë do të tentoj që a mund ta mbajmë VLEN edhe Aleancën për Shqiptarët. As që na kanë thënë, as e kanë biseduar, as qe e kemi diskutuar, as që e kemi hapur si temë. Nëse do të na thonin bisedoni me organet partiake, do t’i kisha thirr Kuvendin dhe do ta bisedonim. Këtë do ta diskutonin që dje… Nëse na jepet mundësi që ta bisedojmë edhe për shkrirje para zgjedhjeve, për hajër ju qoftë. I përgëzoj dhe i përkrahi. Ultimatumet nuk i dua, asnjëherë në jetë nuk kam funksionuar me ultimatume përkundrazi ajo krijon ndjesi të keqe. Sepse ose pranohem, ose merre ose shko. Nëse vjen ashtu, unë lë hapësirë për të biseduar nëse mundemi të gjejmë gjuhë të përbashkët, sepse fuzionimi aspak nuk është përmend këto 4-5 muaj. Sërish mund ta hapim atë temë, jemi të gatshëm të bisedojmë, po të na thuhet për një javë, për javën e ardhshme, kemi vendosur të bashkohemi, a unë nuk e di këtë dmth ky koordinim është moti që të bëhet bashkimi. Atëherë unë vetëm mund t’i inkurajoj dhe t’ju them nëse bashkoheni këtu jemi si Aleancë për të bashkëpunuar me ju për zgjedhjet lokale. Nëse mendoni se nuk duhet si Aleancë për Shqiptarët për zgjedhjet lokale ne dalim edhe vetë. Më mirë ndershmërisht e provojmë kërkojmë përkrahje aty ku mendojmë dhe kujt mendojmë t’i kërkojmë përkrahje qëllimi ynë do të jetë që si parti politike të dalim fitues në disa komuna”, tha Taravari.
Ai shpalosi propozimin e tij se si të dalë VLEN-i me listat e këshilltarëve në zgjedhje lokale, duke propozuar që në ato komuna, ku varësisht se cila parti e VLEN të ketë kandidatin për kryetar, të ketë 40% të këshilltarëve. 60% e këshilltarëve t’u takojnë partive që nuk e kanë kandidatin.
“E shoh një tendencë, që më pengon realisht se thonë Taravari kërkon 40% të listave. Nuk është ashtu. D.m.th marrëveshja është që aty ku ka kandidat LR, Saraj apo Çair, të ketë 40% të këshilltarëve dhe 60% t’i ndajnë partitë tjera. Në Gostivar hipotetikisht ka kandidat ASh-ja dhe të kemi 40% të kandidatëve dhe 60% t’i kenë partitë tjera. Në Tetovë e ka Besa, ajo të ketë 40% të këshilltarëve. Kjo nuk është ekskluzivisht vetëm për Aleancën”, sqaroi Taravari dhe shtoi se aty ku nuk kanë kandidat, të shkojnë me nga 25%.
Taravari shkon më tej dhe thotë se ASh qëndron mirë në gjashtë komuna dhe sipas tij, në ato komuna të realizohet sondazh i dyfishtë dhe varësisht se cili fiton, ai emër të dalë si kandidat.
“Ne kemi 5-6 komuna që krejt mendojnë se jemi më të mirët. Nisem prej vetes, por edhe tjerët mendojnë… Për shembull në Saraj, në Likovë, në Zhelinë, në Bogovinë, në Tearcë… Krejt mendojnë se jemi më të mirët. Hajde angazhojmë agjenci ose sondazh të dyfishtë. Japim emrat e individëve. Për shembull, ne japim në Saraj Blerant Ramadanin, LD-ja Muhamed Elmazin, Orhan Murtezanin e jep Alternartiva, Hasim Murtezanin e jep Besa. E angazhojmë UBO-n e Kosovës. E angazhojmë një agjenci prej Maqedonie. Prandaj hajde t’i anketojmë, kush është më i miri atë e lëshojmë si kandidat i VLEN-it”, tha Taravari.
Ministri, duke folur për rëndësinë e koalicionit VLEN, tha se themelimi i tij dhe bashkimi i pesë organizatave politike në një koalicion, paraqet moment historik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“VLEN ishte mrekullia që u krijua para këtij viti. Ishte kombinimi që s’është krijuar asnjëherë që të gjitha partitë opozitare të bëhen bashkë dhe ta sjellim ndryshimin te shqiptarët në Maqedoni. Katër subjekte plus VV, do të thotë pesë organizime politike që arritën të marrin 107 mijë vota”, tha Taravari.
Pasi arritën të marrin 14 deputetë, VLEN tha Taravari u bë pjesë e Qeverisë dhe me “arritën plot projekte infrastrukturore te shqiptarët”. Shtoi se edhe sikur BDI të ishte në pushtet, do të ishte më keq.
“Këto 9 muaj arritëm plot projekte infrastrukturore te shqiptarët. Por, për 9 muaj nuk mund të presim të bëhet spektakël. Hipotetikisht, edhe sikur VLEN të mos ishte në Qeveri dhe të ishte BDI, jam i sigurt se do të ishte më keq, por më mirë nuk do të ishte”, tha Taravari.
Duke komentuar deklaratën e tij se të gjithë në VLEN komunikojnë me BDI-në, Taravari tha se Izet Mexhiti ka komunikim me Musa Xhaferin e BDI-së.
“Unë dua të jem i sinqertë deri në fund. T’ja sqaroj opinionit deri në fund. Për shembull zotëri Mexhiti ka komunikim me plot njerëz në BDI. Nëse jo me Ali Ahmetin? Ka me Musa Xhaferin. Ose ka me Fatmir Deharin. Ose ka me një eksponent. Edhe deputetët tanë në Kuvend kanë komunikim. Besoj edhe të Besës, jo që janë të izoluar. Unë nuk them se unë insistoj dhe se se kryetarët janë takuar bashkë, por komunikime në një shtet ku janë 1.5 milionë e ku në Parlament janë 120 deputetë, është normale se do të komunikojnë”, tha Taravari.
Kryetari i ASH-së, komentoi edhe deklaratën e përfaqësuesit të VV-së në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, ku ky i fundit nëpërmjet rrjeteve sociale tha se Vetëvendosja në zgjedhjet lokale nuk do të mbështesë asnjë subjekt politikë që do të garojë jashtë koalicionit VLEN. Taravari tha se mundohet të gjejë gjuhë të përbashkët brenda VLEN-it, por siç shtoi, do të dëgjojë edhe aktivin politik.
“Bekimin unë e kam shok, ai ka thënë kështu sepse Vetëvendosja e ka qëndrimin e vetë, ai është përfaqësues i Vetëvendosjes në Maqedoni. Ai është përfaqësuesi zyrtarë i Vetëvendosjes, kur flet ai sikur me fol kryeministri Kurti. E respektoj shumë. Unë mundohem të gjejë gjuhë të përbashkët brenda VLEN-it, por natyrisht pak duhet ta shoh edhe partinë time”, tha ministri.
Taravari ka folur edhe për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe procedurën e ndryshimeve kushtetuese.
Ai thotë se e gëzon fakti që kryeministri Hristijan Mickoski ka raporte të shkëlqyera me ShBA-të, por se sa i takon ndryshimeve kushtetuese, Taravari ka zbuluar se Mickoski ka kërkuar garancë nga Brukseli dhe Uashingtoni.
“Për integrimet europiane, marrëveshja e parë ka qenë integrimi i Maqedonisë. Mua më gëzon fakti që zotëri Mickoski ka raporte të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë e dinë të gjithë. Gjithashtu ka raporte korrekte me shtetet e Bashkimit Europian. I vetmi problem është se zotëri Mickoski kërkon një farë lloj garance se ky do të jetë kushti i fundit. Po të mund të gjendej një zgjidhje, për këtë garancë, që duhet ta jep Brukseli apo Uashingtoni… Mickoski thotë se ne t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese, sepse i kemi numrat, por implementimi të jetë pasi të bëhemi pjesë e BE-së sepse atëherë nuk mund të kushtëzohet më Maqedonia”, tha Taravari duke sqaruar se ky nuk është një kusht i Mickoskit për BE-në, por ai kërkon garancë.
Siç edhe duket, partneri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN nuk po i jeton ditët më të mira sa i përket harmonisë brenda partive që formuan koalicionin si dhe ujdisë së mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti. Shkuarja në zgjedhje lokale e VLEN-it, nga të njëjtat parti siç u bashkuan për parlamentaret është bërë temë që ka ndarë mendimet e subjekteve që përbëjnë koalicionin VLEN.
Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së.
Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.