RMV, sot përfundon masa për kufizimin e marzheve të fitimeve në produktet ushqimore

Sot përfundon masa qeveritare për të kufizuar marzhet e fitimit bruto për mbi 1,000 produkte ushqimore dhe jo-ushqimore në tregtinë me pakicë dhe shumicë. Vendimi i qeverisë për të kufizuar marzhet u mor në shkurt të këtij viti dhe zgjat deri sot, 30 prill, transmeton Portalb.mk. Sipas Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, masa […]

Prill 30, 2025 - 10:45
 0
RMV, sot përfundon masa për kufizimin e marzheve të fitimeve në produktet ushqimore
Supermarket. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sot përfundon masa qeveritare për të kufizuar marzhet e fitimit bruto për mbi 1,000 produkte ushqimore dhe jo-ushqimore në tregtinë me pakicë dhe shumicë. Vendimi i qeverisë për të kufizuar marzhet u mor në shkurt të këtij viti dhe zgjat deri sot, 30 prill, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, masa ka dhënë rezultate pozitive sepse, duke cituar të dhëna zyrtare, ai tha se krahasuar me shkurtin, në mars pati një deflacion prej 1.3 përqind në sektorin e ushqimit dhe pijeve, pra një rënie të çmimeve. Të dhënat për prillin, tha ai, tregojnë gjithashtu rënie të çmimeve të ushqimeve dhe pijeve.

Ministri njoftoi se nga 1 maji, Inspektorati Shtetëror i Tregut do të kryejë inspektime në terren për të parë nëse do të ketë rritje të madhe të çmimeve të produkteve pas përfundimit të masës. Nëse përcaktohet se marketet sillen në mënyrë të devijuar dhe rrisin çmimet jashtëzakonisht shumë, siç tha ai, do të futen masa më të rrepta.

Kujtojmë se marketet janë të obliguara që rregullisht t’i publikojnë çmimet e produkteve në uebfaqet e tyre.

Çmimet do të duhet të publikohen në mënyrë të qartë dhe të arritshme, përmes një seksioni të veçantë të faqes së internetit të shitësit me pakicë të dedikuar për çmimet.

Çmimet e publikuara duhet të përfshijnë emrin e produktit, çmimin e shitjes duke përfshirë TVSH-në, çmimin për njësi për kilogram, litër, metër, përshkrimin e tij, disponueshmërinë në një objekt shitjeje dhe çmimin e rregullt duke përfshirë TVSH-në.