RMV, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka datë për seancën përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve

Ende nuk ka datë se kur do të nis seanca përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve e Gjykatës Kushtetuese së RMV-së, e cila ishte caktuar për më 20 mars, por u anulua për shkak ditëve të zisë për viktimat e tragjedisë në Koçan. Nga gjykata theksojnë se ende nuk ka datë, por që janë […]

Prill 8, 2025 - 07:30
 0
RMV, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka datë për seancën përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve
Foto: Gjykata Kushtetuese

Ende nuk ka datë se kur do të nis seanca përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve e Gjykatës Kushtetuese së RMV-së, e cila ishte caktuar për më 20 mars, por u anulua për shkak ditëve të zisë për viktimat e tragjedisë në Koçan. Nga gjykata theksojnë se ende nuk ka datë, por që janë disa termine se kur do të nis punën seanca përgatitore e kushtetueses, shkruan Portalb.mk.  

“Ende nuk kemi datë se kur do të fillojë seanca përgatitore e Gjykatës Kushtetuese. Janë disa termine, në ndërkohë po presim konfirmim nga ekspertët e huaj që do duhej të merrnin pjesë në seancën e njëjtë”, konfirmuan për Portalb.mk nga Gjykata Kushtetuese.

Gjyqtarë nga Komisioni i Venedikut profesorë dhe ekspertë vendas, pritet të japin mendimin e tyre për çështjet e kontestuara juridike të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Gjykatësi holandez, Martin Kujer, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit të Venedikut, pritet që të japë këshillat që gjykata i kërkoi prej tyre. Gjyqtari nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, Arthur Kuch, nga ana tjetër, pritet të shpjegojë praktikën e kësaj gjykate në raste të ngjashme.

Nga ekspertët vendorë, interpretimin e tyre do ta japin ish-gjyqtarja në këtë gjykatë, Margarita Caca Nikollovska, anëtarja e Komisionit të Venedkut, Renata Deskoska, profesorët Borçe Davitkovski, Jeton Shasivari, Gordana Lazetiq, Mersel Bilalli, Denis Preshova, Mersim Maksuti, Merit Nuxhia, Nuret Bajramit dhe gjyqtarët Zhaklina Doveden dhe Ivan Xholev.

Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN.

Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.