Rikonstruimi i Qeverisë së RMV-së: Mickoski kategorik që “jo”, Mexhiti nuk e përjashton si mundësi
Qeveria nuk do të rikonstruohet para zgjedhjeve lokale, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari dhe drejtorin e FSSH-së Sasho Klekovski. Nga ana tjetër, njëri i partnerëve të VLEN-it, Izet Mexhiti, i pyetur poashtu për këtë çështje ka […]


Qeveria nuk do të rikonstruohet para zgjedhjeve lokale, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari dhe drejtorin e FSSH-së Sasho Klekovski. Nga ana tjetër, njëri i partnerëve të VLEN-it, Izet Mexhiti, i pyetur poashtu për këtë çështje ka thënë se nuk përjashtohet si mundësi, transmeton Portalb.mk.
Mickoski, i pyetur nëse planifikohet rikonstruimi i Qeverisë para zgjedhjeve lokale, u përgjigj shkurt: “Jo”. Kryeministri ritheksoi se Qeveria funksionon e bashkuar. “Marrëdhëniet në Qeveri janë të shkëlqyera”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër në pyetjen e njëjtë, Mexhiti tha se duhet të vlerësohen argumentet pro dhe kundër dhe vetëm atëherë të merret vendim.
“A planifikohet rikonstruktim i qeverisë para zgjedhjeve? Do ta shohim. Nuk e përjashtoni mundësinë? Mendoj teorikisht po, do të shohim mendoj. Do të vlerësojmë se cilat janë argumentet “pro” dhe “kundër” dhe do të…”, tha Mexhiti.
Ditët e fundit në koalicionin nga blloku politik shqiptar “VLEN” po kalon në trazira sa i përket harmonisë brenda partive që formuan koalicionin si dhe ujdisë së mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti. Shkuarja në zgjedhje lokale e VLEN-it, nga të njëjtat parti siç u bashkuan për parlamentaret është bërë temë që ka ndarë mendimet e subjekteve që përbëjnë koalicionin VLEN.
Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së.
Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.