Prokuroria: Drejtori Muhsin Arifi kërkoi 100 mijë, më pas bëri pazar për 20 mijë euro ryshfet

Prokuroria Publike kërkon paraburgim për drejtorin e Geriatrisë Muhsin Arifi dhe një person tjetër për të cilin ka hapur hetim për pranim të ryshfetit për sigurimin e shtratit në spital, transmeton Portalb.mk. Sipas informacioneve të prokurorisë, nga data 19 mars deri më 8 prill 2025, drejtori në disa raste ka kërkuar drejtpërdrejt ryshfet për të […]

Prill 9, 2025 - 16:30
 0
Prokuroria: Drejtori Muhsin Arifi kërkoi 100 mijë, më pas bëri pazar për 20 mijë euro ryshfet
Prokuroria Themelore Publike Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Prokuroria Publike kërkon paraburgim për drejtorin e Geriatrisë Muhsin Arifi dhe një person tjetër për të cilin ka hapur hetim për pranim të ryshfetit për sigurimin e shtratit në spital, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve të prokurorisë, nga data 19 mars deri më 8 prill 2025, drejtori në disa raste ka kërkuar drejtpërdrejt ryshfet për të akomoduar një burrë i cili vuante nga sëmundje të shumta dhe i cili sipas rekomandimeve mjekësore kërkonte kujdes spitalor në Repartin e Geriatrisë të drejtuar nga Arifi. Gjendja e pacientit u përkeqësua, por ai u vendos në listë pritjeje.

I dyshuari i dytë ka caktuar takim me drejtorin e Institucionit më 19.03.2025 në mbrëmje në një objekt hoteliere në Shkup, ku nga gruaja Arifi ka kërkuar ryshfet prej 100 mijë euro dhe ka premtuar ndihmë për akomodim nëse shpërblehet. Dëshmitarja reagoi se ishin shumë para, për të cilën drejtori sugjeroi që shuma e kërkuar të sigurohej me shitjen e pasurisë së paluajtshme – apartament në pronësi të pacientit, gjë që nuk ishte opsion.

Ishin edhe dy takime dhe përfundimisht u ra dakord që dëshmitari të jepte 20 mijë euro si garanci për ta vendosur pacientin në spital.

MPB nga ana tjetër njoftoi se në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi kallëzim penal kundër М.А. (35) dhe B.А. (49) për ndihmën gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.

“I dyshuari i parë, si person zyrtar – drejtor i ISHP Spital i specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative në Shkup, në periudhën prej 19.03.2025 deri më 08.04.2025, në disa raste në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar përfitime të konsiderueshme financiare për vete për të kryer një veprim zyrtar që do të duhej ta kryejë.

Ryshfetin e ka kërkuar nga dëshmitari në procedurë – ofrues i mbështetjes së përjetshme për një person i cili ka vuajtur nga më shumë sëmundje dhe të cilit sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve mjekësore i duhej kujdesi spitalor në institucionin e përmendur. Kur dëshmitari i është drejtuar institucionit sepse gjendja e pacientit është përkeqësuar, u njoftua se pacienti është vënë në listën e pritjes për pranim. Pas disa ditësh ka pranuar thirrje nga i dyshuari i dytë, i cili i ka caktuar takim me drejtorin e institucionit më 19.03.2025 në orët e mbrëmjes në një objekt të hotelerisë në Shkup. Në takim, i dyshuari i parë personalisht ka thënë se pacienti qëndron mirë nga ana materiale, për çka ka pasur të dhëna edhe për pronën e paluajtshme të cilën e posedonte ai, andaj ka premtuar ndihmë për akomodim nëse shpërblehet me 100.000 euro. Gruaja-dëshmitare ka reaguar se këto janë shumë para, për ç’gjë drejtori ka rekomanduar që të arrihet në shumën e kërkuar përmes shitjes së pronës së paluajtshme – banesën që e ka poseduar pacienti, që nuk ka qenë opsion sepse bansesa ka qenë e përfshirë me kontratën për mbështetje të përhershme”, thonë nga MPB.

Ministria më tej sqaron se më 03.04.2025 u realizua takim ndërmjet dëshmitarit dhe ndihmësit, si person në të cilin drejtori ka pasur besim të plotë, ndërsa më 04.04.2025 sërish dëshmitari është takuar me të dy të dyshuarit. Përfundimisht ishte rënë dakord që dëshmitari të japë 20.000 euro si garancë për ta akomoduar pacientin në spital, e në qoftë se i dyshuari i parë „me anë të verifikimeve“ vërteton se pacienti ka edhe pronë të paluajtshme shtesë ajo pronë duhet të shitet për të siguruar shumën e kërkuar të përgjithshme prej 100.000 euro.

“Në përputhje me këtë marrëveshje, më 08.04.2025, dëshmitarja është takuar me të dyshuarin e dytë, e cila ka hyrë në automjetin e saj dhe në emër të drejtoreshës ka pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë një shumë prej 20.000 euro, pas së cilës është kapur në vendgjarje nga nëpunësit policorë”, thonë nga MPB.

Arifi më parë ka qenë drejtor i Spitalit Psikiatrik në Shkup dhe është kuadër i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Taravarit.

Për rastin ka reaguar dje edhe partia nga radhët e të cilës vjen drejtori në fjalë, Aleanca për Shqiptarët e Taravarit.

“Duke pasur parasysh se personi M.A është propozuar nga ASH për zgjidhje të përkohshme për drejtor të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, konsiderojmë të nevojshme të njoftojmë si në vijim: ASH u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që në një procedurë të shpejtë dhe efikase të sqarojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me ngjarjen konkrete penale. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë jo selektive dhe në përputhje me të gjitha mekanizmat dhe vlerat themelore kushtetuese dhe ligjore. Aleanca për Shqiptarët mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe në reformimin rrënjësor të sistemit shtetëror, me qëllim që të gjitha dukuritë devijante të minimizohen. Populli shqiptar nuk meriton të përfaqësohet nga persona që eventualisht përpiqen të pasurohen në mënyrë të paligjshme mbi vuajtjet shëndetësore të qytetarëve. Kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet që ne përfaqësojmë. Organet partiake të Aleancës për Shqiptarët do të ndërmarrin të gjitha hapat statutare të nevojshme për ruajtjen e imazhit dhe integritetit të partisë”, thonë nga ASH.

Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë thanë se angazhohen për sqarim sa më të shpejtë të rastit nga ana e Prokurorisë Publike në lidhje me pretendimet për marrje ryshfeti.

“Ministria e Shëndetësisë është në dispozicion nëse kërkohen çfarëdo lloj informacionesh në bazë të detyrës zyrtare. Prioriteti ynë mbetet ofrimi i kujdesit më të përshtatshëm për të gjithë pacientët në institucionet shëndetësore publike”, thanë dje nga Ministria e Shëndetësisë.