Përfundon procesi i verifikimit të votave të qarkut Elbasan

Procesi i verifikimit të 97 kutive zgjedhore të qarkut Elbasan, ka përfunduar. Gazetarja, Klesiana Omeri, raporton se të dhënat zyrtare do të publikohen ditën e hënë, në mbledhjen e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve. Ditën e sotme nisi procesi i rinumërimit të votave për katër qarqe, në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti”. Fillimisht […]

qershor 17, 2025 - 19:15
 0
Përfundon procesi i verifikimit të votave të qarkut Elbasan

Procesi i verifikimit të 97 kutive zgjedhore të qarkut Elbasan, ka përfunduar.

Gazetarja, Klesiana Omeri, raporton se të dhënat zyrtare do të publikohen ditën e hënë, në mbledhjen e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve.

Ditën e sotme nisi procesi i rinumërimit të votave për katër qarqe, në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti”.

Fillimisht u hapën 97 kuti të bashkive Gramsh dhe Peqin.

Kjo hapja e kutive, u bë vetëm për material zgjedhore dhe jo për efekt rezultati. Kjo, për të vërtetuar fletët e votimit, pasi Partia demokratike pretendon për aplikimin e skemës së “trenit bullgar”.

Tanimë, pritet nesër nisja e numërimit të votave për efekt rezultati në dy qarqet që kanë numrin më të madh të mandateve në vend, Tiranë e Fier.

Në Tiranë, Partia Demokratike kërkon që të rifitojë një mandat që iu mor me një diferencë të ngushtë nga Partia Mundësia e Agron Shehajt.

Ndërkohë në Partinë Socialiste janë disa kandidatë që shpresojnë për vota më shumë, duke qenë se janë ndarë në një rezultat të ngushtë nga kolegët e tyre në zgjedhjet e 11 majit.

Si në Tiranë dhe në Fier rinumërimi i votave do të bëhet i plotë, si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatë.

Një tjetër qark i rëndësishëm është edhe ai i Durrësi. Atje ka pretendime që më së shumti janë mes PD-së.

Aulon Kalaja thotë se ka pasur manipulime dhe rrjedhje votash. Ai synon të fitojë deri në 1 mijë vota për të fituar mandatin e deputetit.

Në Durrës do rinumërohen votat e diasporës, 186 qendra votimi dhe kutitë e KZAZ-ve 21 e 22, pra jo të gjitha votat e qarkut.

Në këtë proces do të marrin pjesë 24 grupe rinumërimi që do ta bëjnë këtë proces, që sipas parashikimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të zgjasë deri në një muaj./tvklan.al