Osmani në mbështetje të Ambasadorit Meidani: “Kur të tjerët heshtin, ai vepron për drejtësi!”
Zhvillimet e fundit rreth legalizimit të objektit shkollor në fshatin Nerovë të Krushevës kanë sjellë jo vetëm gëzim për komunitetin lokal, por edhe një valë reagimesh dhe vlerësimesh për kontributin The post Osmani në mbështetje të Ambasadorit Meidani: “Kur të tjerët heshtin, ai vepron për drejtësi!” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Zhvillimet e fundit rreth legalizimit të objektit shkollor në fshatin Nerovë të Krushevës kanë sjellë jo vetëm gëzim për komunitetin lokal, por edhe një valë reagimesh dhe vlerësimesh për kontributin vendimtar të ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, transmeton Flaka.
Ndër më të zëshmit në këtë mbështetje janë zyrtarët e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe të Aleancës për Shqiptarët, të cilët kanë vlerësuar publikisht rolin e ambasadorit, në një moment ku institucionet vendore kishin lënë pas dore një kërkesë elementare për arsim në gjuhën shqipe.
Bujar Osmani: Kur dështojnë institucionet, shqiptarët nuk mbeten jetimë
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, në një mesazh të qartë dhe me nuanca reflektuese, u shpreh:
“Edhe kur përfaqësimi institucional dështon, shqiptarët nuk mbeten jetimë. Në çdo kohë ka njerëz që nuk e lënë hapësirën bosh, që reagojnë, ndërhyjnë dhe mbrojnë dinjitetin nga ndjenja e detyrimit. Respekt për ata që veprojnë kur të tjerët heshtin. Nerova.”
Ky reagim është lexuar si mbështetje e qartë për ambasadorin Meidani, i cili ndërhyri direkt pranë institucioneve qeveritare për të përshpejtuar procedurat e legalizimit të shkollës së fëmijëve shqiptarë të Nerovës.
Blerim Bexheti: Ambasadori bën më shumë se detyra
Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka qenë edhe më konkret në vlerësimin e tij për ambasadorin shqiptar:
“Ambasadori Meidani? Po, ai bën më shumë se detyra e tij! Jo për show, por për drejtësi, për barazi, dhe për të rikthyer besimin aty ku të tjerët e kanë shitur për interesa personale. Të tjerët? Zhurmojnë shumë, bëjnë pak si gjithmonë!”
Faton Ahmeti: Respekt për ambasadorin!
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti, gjithashtu ka përgëzuar banorët dhe ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Urime Nerova. Respekte Ambasador!”
Roli i ambasadorit Meidani në këtë çështje është bërë temë qendrore ditët e fundit, jo vetëm për shkak të veprimit konkret, por edhe për përballjen e tij me tentativat për t’i minimizuar meritat. Mbështetja e shprehur nga eksponentë të BDI-së shihet si një qëndrim institucional përballë relativizimeve të bëra nga disa figura të VLEN-it.
Blerant Ramadani: Legalizimi i shkollës në Nerovë, një fitore për fëmijët dhe gjuhën tonë
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka përshëndetur vendimin për legalizimin e objektit shkollor në fshatin Nerovë të Krushevës, duke e cilësuar si një “fitore të merituar” për komunitetin shqiptar.
“Një ëndërr e gjatë, një betejë e drejtë dhe një fitore e merituar! Me vendosmërinë e prindërve, përkushtimin e komunitetit dhe përkrahjen e pakursyer të Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, shkolla në fshatin Nerovë po bëhet realitet!”, theksoi Ramadani.
Ai shtoi se angazhimi i Aleancës për Shqiptarët në këtë proces ka qenë i vazhdueshëm dhe i pakursyer, duke përshëndetur vendimin institucional që i hap rrugë kushteve më të mira mësimore për mbi 120 nxënës shqiptarë.
“Faleminderit të gjithë atyre që nuk u dorëzuan dhe besuan se arsimi është e drejtë, jo luks. Kjo është një fitore për fëmijët tanë, për gjuhën tonë, për të ardhmen tonë!”, përfundoi Ramadani. Flaka
The post Osmani në mbështetje të Ambasadorit Meidani: “Kur të tjerët heshtin, ai vepron për drejtësi!” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .