MPB: Do të hiqet flamuri i paligjshëm me diellin e Vergjinës i cili valon përkrah atij të komunës së Kumanovës

Flamuri i paligjshëm me diellin e Vergjinës, i cili valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës, do të hiqet nga institucioni kompetent. Informacionin për Portalb.mk e ka konfirmuar zyra për informim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme Kumanovë është lëshuar njoftim deri te institucioni përgjegjës […]

Mars 3, 2025 - 15:00
 0
MPB: Do të hiqet flamuri i paligjshëm me diellin e Vergjinës i cili valon përkrah atij të komunës së Kumanovës
Flamuri me diellin e Vergjinës përball gjykatës, valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës/ FOTO: Portalb

Flamuri i paligjshëm me diellin e Vergjinës, i cili valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës, do të hiqet nga institucioni kompetent. Informacionin për Portalb.mk e ka konfirmuar zyra për informim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme Kumanovë është lëshuar njoftim deri te institucioni përgjegjës për heqjen e flamurit”, thanë për Portalb.mk nga MPB.

Mbetet të shihet se kur do të hiqet i njejti.

Më 25 shkurt, Portalb.mk, njoftoi se flamuri me diellin e Vergjinës edhe pse i ndaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Marrëveshjes së Prespës, valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës, përballë gjykatës në Kumanovë.

Nga Komuna e Kumanovës thanë që nuk janë përgjegjës për vendosjen e flamujve tjerë, përveç flamujve të Komunës dhe atyre shtetëror në raste festash.

Kujtojmë se, detyrimi ligjor për mospërdorimin e ish flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, me diellin e Vergjinës në mes, del nga neni 8 paragrafi 3 i Marrëveshjes së Prespës, i cili thotë:

“Pala e dytë nuk do ta përdorë përsëri në çfarëdo lloj mënyre dhe në çfarëdo lloj forme simbolin e paraqitur në flamurin e saj shtetëror. Në afat prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Pala e dytë do ta nisë procedurën për heqjen e simbolit të paraqitur në flamurin e saj të mëparshëm shtetëror nga të gjitha vendet publike dhe nga përdorimi publik në territorin e sajë. Artefaktet arkeologjike nuk janë të përfshira në këtë dispozitë”.

Ndryshe, pala greke disa here ka reaguar zyrtarisht për mosrespektim të Marrëveshjes.

Marrëveshja e Prespës, në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, është nënshkruar më 17 qershor 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e liqenit të Prespës në anën greke.

Kujtojmë se, Marrëveshja e Prespës, i ka dhënë fund një kontesti plot 27 vjeçar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kontest që vendin tonë e ka penguar në rrugëtimin euroatlantik për afro tre dekada, pasi që Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit të Maqedonisë janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni.