LSDM: Asnjë hetim ndaj askujt përgjegjës nga MPB-ja për tragjedinë në Koçan
Zgjerimi i hetimeve për tragjedinë e tmerrshme në Koçan ende është fokusuar vetëm në të kaluarën dhe jo në momentet kur ka ndodhur ngjarja dhe as në zyrtarët aktualë të policisë. Kështu kanë reaguar sot nga opozitarja LSDM, transmeton Portalb.mk. Sipas LSDM-së, hetimi ende nuk i përgjigjet pyetjeve kryesore: Kush është përgjegjës për zjarrin që […]


Zgjerimi i hetimeve për tragjedinë e tmerrshme në Koçan ende është fokusuar vetëm në të kaluarën dhe jo në momentet kur ka ndodhur ngjarja dhe as në zyrtarët aktualë të policisë. Kështu kanë reaguar sot nga opozitarja LSDM, transmeton Portalb.mk.
Sipas LSDM-së, hetimi ende nuk i përgjigjet pyetjeve kryesore:
- Kush është përgjegjës për zjarrin që mori 61 jetë dhe plagosi rreth 200 të rinj?
- Kush do të mbajë përgjegjësi për dështimet e sigurisë, për të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjës Ministria e Brendshme dhe Byroja e Sigurisë Publike?
“Në ditën e tragjedisë, më 16 mars, zyrtarët aktualë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Koçanit, SPB Shtip dhe Byrosë për Siguri Publike që ishin në pozita ishin përgjegjës për sigurinë dhe duhej të vepronin”, thonë nga LSDM.
Ata pyesin se nëse mekanizmat e kontrollit dhe të sigurisë, të cilat janë nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Koçanit, Sektorit të Punëve të Brendshme të Shtipit, gjegjësisht MPB-së dhe Byrosë të Sigurisë Publike, si ka mundësi që asnjë nga zyrtarët aktualë të mos jetë arrestuar dhe të mos përfshihet në hetim.
“Faktet tregojnë se këto institucione nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Brendshme nuk kanë vepruar siç duhet gjatë ngjarjes penale juridike dhe përpara saj. Ata jo vetëm që nuk përgatitën një plan sigurie dhe nuk bënë një vlerësim të rrezikut, policia ishte në vendngjarje atë natë fatale në disko”, thanë nga LSDM.
Ata thonë se ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski duhet të përgjigjet se si është e mundur që të mos ketë përgjegjësi nga zyrtarët aktualë të policisë që ishin në pozita atë ditë.
“LSDM insiston për drejtësi jo selektive për Koçanin. Askush nuk duhet të mbrohet. Hetimi nuk duhet të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë selektive, duke u fokusuar vetëm në të kaluarën. Duhet të ketë përgjegjësi për të gjithë, veçanërisht për ata që kryejnë shkelje të sigurisë, pavarësisht funksionit apo pozicionit”, përfunduan nga LSDM.
Ky reagim vjen pasi dje, më 12 prill Prokuroria Themelore Publike në Koçan lëshoi urdhër për zgjerimin e hetimeve për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit në 19 persona të rinj.
Ndërsa sot përmes një konference për shtyp ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski dhe prokurori publik i shtetit Ljupco Kocevski dhanë detaje nga ky hetim.
Të gjithë ata dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për zyrtarë në periudhën 2012-16.03.2025.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraprakisht identifikoi si të dyshuar 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërsa me zgjerimin e hetimeve më 12 prill edhe ndaj 19 të dyshuarve të tjerë. Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.