Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 64 vota “kundër” nuk e kaloi interpelancën për shkarkimin e Izet Mexhitit
Me 64 vota “kundër” dhe 3 vota “për”, nuk kaloi interpelanca për shkarkimin e Izet Mexhitit nga pozita e ministrit për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, transmeton Portalb.mk. Interpelanca ishte nismë e “Frontit Europian”, ndërsa sqarimin e dha deputeti i këtij grupi, Blerim Bexheti. Në seancën e sotme plenare, planifikohet që deputetët të shqyrtojnë edhe […]


Me 64 vota “kundër” dhe 3 vota “për”, nuk kaloi interpelanca për shkarkimin e Izet Mexhitit nga pozita e ministrit për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, transmeton Portalb.mk.
Interpelanca ishte nismë e “Frontit Europian”, ndërsa sqarimin e dha deputeti i këtij grupi, Blerim Bexheti.
Në seancën e sotme plenare, planifikohet që deputetët të shqyrtojnë edhe tre interpelancat që u dorëzuan muajin e kaluar nga grupi parlamentar i “Frontit Evropian”.
Interpelanca e dytë është ajo për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, Ivan Stoilkoviq, e cila është dorëzuar për shkak të mosveprimit dhe mosdeklarimit të tij në lidhje me ngjarjet në Kumanovë, kur disa automjete dhe një dyqan që u përkasin shqiptarëve u dogjën. Stoilkovi1, në cilësinë e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, nuk arriti të respektojë dhe zbatojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Interpelancat tjera janë për ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni.
Në sqarimin e dhënë nga “Fronti Evropian” për këto interpelanca, thuhet se në ditën e festës së flamurit shqiptar, ata si persona përgjegjës kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë në mënyrë të paprecedentë dhe të pajustifikuar, duke penguar manifestim tradicional të shqiptarëve.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës sot me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti nga detyra e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Kuvendi në njoftimin e pasdites sqaroi që ky votim nuk nënkupton edhe shkarkimin e Dautit nga ky pozicion.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare nuk ka marrë pjesë në votimin për këto interpelanca, duke vlerësuar se në këtë moment nuk paraqesin zgjidhje të krizës dhe mund të nënkuptojnë ndarje të reja në baza etnike.