Kosova drejt ”largimit” nga izolimi i masave

Të mërkurën, Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar draft rezolutën për Kosovën në të cilën mes tjerash kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së. Autor i raportit është Riho Terras raportues i këtij institucioni për Kosovën, i cili tashmë i ka porositur se vendi i Kosovës është në BE. Në

Prill 14, 2025 - 09:00
 0
Kosova drejt ”largimit” nga izolimi i masave
kosova-drejt-”largimit”-nga-izolimi-i-masave

kosova-drejt-”largimit”-nga-izolimi-i-masave

Të mërkurën, Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar draft rezolutën për Kosovën në të cilën mes tjerash kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së.

Autor i raportit është Riho Terras raportues i këtij institucioni për Kosovën, i cili tashmë i ka porositur se vendi i Kosovës është në BE.

Në këtë dokument mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

Se masat duhet të largohen menjëherë dhe janë të paarsyeshme të mbahen ende e thonë edhe deputet e ish-deputet të Kuvendit të Kosovës, duke pranuar se vetëm draft-rezoluta nuk garanton heqjen e masave pa miratimin në PE.

 

Haliti: Miratimi i draft-rezolutës për Kosovën nuk garanton heqjen e masave të BE-së

Xhavit Haliti, anëtar i delegacionit të Kosovës në Asamblenë e NATO-së, dhe ish-deputeti i PDK-së është deklaruar për “Front Online” pas miratimit të draft-rezolutës për Kosovën në lidhje me heqjen e masave nga Bashkimi Evropian.

Haliti ka theksuar se, megjithëse kjo rezolutë mund të ndihmojë në rikthimin e Kosovës në mendjen e BE-së, ajo nuk ka fuqi ligjore dhe nuk është miratuar ende në Parlamentin Evropian.

 “Ndikon në rikthimin në menje Bashkimit Evropian, por rezoluta nuk është miratuar në Parlament por në Komision e këto nuk kanë diçka që e obligon dikë që ta zbatojë. Kjo mund të propozohet në Parlamentin e BE dhe mund të kaloj edhe aty”, deklaroi Haliti.

Ai ka shtuar se BE nuk ka deklaruar se Kosova është tërhequr nga veprimet që çuan në masat e vendosura, dhe për këtë arsye, heqja e tyre nuk mund të pritet në afat të shkurtër.

“Do të jetë një proces shumë i gjatë dhe varet nga krijimi i institucionet dhe funksionimi i tyre. BE nuk ka deklaruar deri tash që Kosova është tërhequr nga veprimet që kanë quar deri tek masat, nuk mund të presim që hiqen shpejt”, shprehet Haliti.

 

Deputetja e VV’së: Largimi i masave ndaj Kosovës i bën nderë edhe BE-së

Deputetja e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Jeta Statovci, ka reaguar pas raportit të Riho Terras, raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke vlerësuar konstatimet e tij si të vlefshme dhe të bazuara në fakte për miratimin e draft-rezolutës për heqjen e masave ndaj Kosovës nga BE.

“Rëndësi të madhe ka se raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, ka bërë konstatime të vlefshme, të sakta dhe të bazuara në fakte lidhur me arritjet e Kosovës gjatë viteve të fundit, pra konstatohet se ka përparime të konsiderueshme në reformat zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe është absurde të vazhdohet me këto masa”, thotë Statovci.

Statovci ka shprehur shqetësim lidhur me masat e vendosura ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të gabuara dhe të ndikuara nga politika agresive e Serbisë.

“Ato masa kanë qenë të gabuara, të ndikuara nga një politikë agresive dhe kërcënuese e Serbisë, dhe të pa baza në konsideratën tonë dhe sigurisht që as nuk do të duhej të ishin vendosur”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se largimi i masave është një nder për parimet e BE-së dhe një hap i domosdoshëm për stabilitetin dhe unitetin e rajonit.

“Largimi i këtyre masave, i bën nderë edhe parimeve të BE-së, sidomos në këtë kohë kur BE duhet të tregoj sa më shumë parimësi, stabilitet dhe unitet”, deklaroi Statovci.

 

Arifi: Masat ndaj Kosovës kanë humbur kuptimin, BE duhet të veprojë ndaj Serbisë

Avni Arifi, ish-shef i ekipit negociator të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, ka folur për “Front Online” lidhur me draft-rezolutën e miratuar për Kosovën, duke e vlerësuar si një hap të mirë, por pa shumë mundësi për ndryshime të shpejta.

“Draft-rezoluta është e mire se ardhur edhe pse nuk e di sa mundet të ndryshoj gjërat sepse masat hiqen nga shtetet anëtare. Disa nga këto shtete janë të afërta me Serbinë dhe është vështirë me besuar se së shpejti do të ketë ndonjë zhvillim”, shprehet ai.

Arifi ka deklaruar se progresi në heqjen e masave ka humbur kuptimin, veçanërisht pas sulmit të fundit në Banjskë, duke e quajtur të pakuptueshme dhe të njëanshme vendimet e BE-së.

“Progresit në heqjen e masave i ka humb kuptimi siç i ka hup kuptimi edhe vet masave pas sulmit ne Banjskë. E pakuptueshme dhe tërësisht e njëanshme BE në sanksionimin e Kosovës dhe kursyese ndaj Serbisë është në situatë ku Serbia pastër ka bërë terrorizëm shtetëror në Kosovë”, theksoi Arifi.

Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Nënvizohet gjithashtu progresi domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.

Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve.

Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe atë në Ibër Lepenc. Kërkohet sjellja para drejtësisë e autorëve të këtyre sulmeve.

Keqardhje e veçantë shprehet përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e emisarit për këtë dialog.

Pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do e merr edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian./FrontOnline