Gjyqi për për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, sot do të dëshmojë i akuzuari Velibor Manev
Me dëshminë e të akuzuarve, sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit duhet të vazhdojë gjykimi për rrëmbimet dhe vrasjet e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi. Në bankën e dëshmitarit, siç paralajmëroi gjyqtari Ivica Stefanovski në njërën nga seancat paraprake, sot duhet të qëndrojë dhe të merret në pyetje i akuzuari […]


Me dëshminë e të akuzuarve, sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit duhet të vazhdojë gjykimi për rrëmbimet dhe vrasjet e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi. Në bankën e dëshmitarit, siç paralajmëroi gjyqtari Ivica Stefanovski në njërën nga seancat paraprake, sot duhet të qëndrojë dhe të merret në pyetje i akuzuari i dytë në këtë rast, Velibor Manev, transmeton Portalb.mk.
Pas tij, sipas orarit të shpallur nga gjyqtari, me propozim të mbrojtjes duhet të deklarohen edhe të akuzuarit e tjerë, përkatësisht Bore Videvski, Vlatko Keshishev, pastaj babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dhe në fund i pandehuri i parë, Ljupço Palevski-Palço.
Nga provat materiale të paraqitura nga Prokuroria në një nga seancat e mëparshme të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar rezulton se në shiritin ngjitës që i është vendosur në gojë vajzës gjatë rrëmbimit të saj janë gjetur gjurmë ADN-je të të pandehurit Velibor Manev.
Në dëshminë e policëve një muaj më parë, gjegjësisht më 25 nëntor, thuhej se Manev ka treguar vendin ku është varrosur trupi i Pançe Zhezovskit.
Me dëshminë e të pandehurve, publiku pritet të mësojë më shumë detaje rreth gjithë rastit, veçanërisht për motivet e vrasjeve, rrethanat në të cilat u likuiduan vajza dhe Zhezhovski. Një nga pyetjet kryesore është pse Vanja u vra menjëherë pas rrëmbimit të saj.
Në seancën e kaluar të premten (7 mars), mbrojtja e të akuzuarit të parë, Ljupço Palevski-Palço, kërkoi që gëzhoja e gjetur në afërsi të vendit ku është gjetur trupi i Zhezhovskit, të sillet në gjykatë dhe me ekspertizë shtesë të konstatohet nëse ka mundësi të jetë shkrepur nga arma që i akuzuari Bore Videvski e posedonte me leje.
Ekspertiza e bërë në atë kohë ka rezultuar se bëhet fjalë për gëzhojë të kalibrit 9 mm, por mbrojtja kërkon më tutje nëse është shkrepur nga arma e Videvskit. Lidhur me këtë kërkesë, gjykata pritet të vendosë sot.
Përndryshe, gjatë bastisjes në shtëpinë e Videvskit më 3 dhjetor 2023, ditën kur u gjetën trupat e Vanjës dhe Pançes, u gjet leja e posedimit të armës “zbrojovka”, por jo arma.
Në seancën e kaluar, i akuzuari i parë Palevski përsëri kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Ivica Stefanovski, i cili e udhëheq procesin, për shkak të, siç tha, pamundësisë së mbrojtjes për të paraqitur prova që janë në favor të saj. Kërkesa u refuzua, ndërsa Palevski duke iu drejtuar gjykatës tha se nuk i frikësohet dënimit me burgim të përjetshëm, sepse, siç tha, aktgjykimi për të tashmë është dhënë në konferencën për media të kreut të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, Gavril Bubevski dhe ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Burgu i përjetshëm as më frikëson dhe as nuk më prek. Nuk nevojiten prova në favor të mbrojtjes sepse aktgjykimi tashmë është nxjerrë dhe këtë e garanton sjellja e kryetarit të këshillit (gjykues)”, tha Palevski.
LEXO: Palevski: Aktgjykimi është nxjerrë paraprakisht, nuk kam frikë nga burgimi i përjetshëm
Sipas aktakuzës, Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se së bashku kishin planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të jepte para për shpërblim. Sipas aktakuzës, rrëmbimi i të ndjerit Pançe Zhezovski nga Velesi ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin “citroen” për ta përdorur në rrëmbimin e fëmijës në Shkup.
Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.