Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon me plotësimin e procedurës së provave
Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Në seancën e fundit dëgjimore, përfundoi procedura e provave dhe filloi paraqitja e provave shtesë. Prokuroria paraqiti prova shtesë, përfshirë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në shtëpinë e Velibor Manev, të cilat, sipas Prokurorisë, tregojnë se të pandehurit po […]


Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Në seancën e fundit dëgjimore, përfundoi procedura e provave dhe filloi paraqitja e provave shtesë. Prokuroria paraqiti prova shtesë, përfshirë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në shtëpinë e Velibor Manev, të cilat, sipas Prokurorisë, tregojnë se të pandehurit po përgatiteshin paraprakisht për vrasje, dhe jo vetëm për rrëmbimin e Vanja Gjorçevskës. Pamjet e paraqitura në gjykatë tregojnë momentin kur Manev fut një lopatë në automjetin Renault Kangoo, transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë për median, prokurorja Ana Stojkoviq shpjegoi se incizimi u prezantua në përgjigje të pretendimeve të të pandehurve në deklaratat e tyre se ata në të vërtetë nuk kishin motiv për të vrarë, por përkundrazi kishin për qëllim rrëmbimin e njerëzve.
Kur u pyet nëse po e kërkonin ende armën, ajo u përgjigj se kishin prova të mjaftueshme për të treguar fajësinë e të pesë të pandehurve.
E pyetur nëse ende pohojnë se motivi ishte lakmia, prokurorja Zhaklina Trajkovska u përgjigj pozitivisht.
“Absolutisht, kjo çështje ka të bëjë me interesin vetjak. Që nga fillimi deri në kryerjen e krimeve, të pandehurit ranë dakord së bashku dhe u koordinuan për të ndërmarrë të gjitha veprimet me qëllim arritjen e përfitimit të tyre. Vrasja e Vanjës vërteton se të gjithë i ndërmorën veprimet së bashku, vetëm për këtë arsye”, tha Trajkovska.
Paraprakisht, Prokuroria paraqiti se i pandehuri Bore Videvski nuk ishte në vendin e tij të punës ditën e rrëmbimit dhe vrasjes së Vanjës dhe Pançes, dhe në të njëjtën kohë nuk ka të dhëna të disponueshme për provë të shtënave me armën që e posedonte i pandehuri.
Në një deklaratë për mediat, avokatët mbrojtës të Palevskit dhe Videvskit kërkuan një ekspertizë të gëzhojave të gjetura.
Avokati Bojan Manev vuri në dyshim mungesën e gjurmëve të të shtënave nga arma e Bore Videvskit në bazën e Ministrisë së Brendshme, duke e konsideruar atë kontradiktore. Ai pretendon se ka një certifikatë ligjshmërie për armën, por nuk ka të dhëna se është qëlluar me të, të cilën ai e quan neglizhencë të qëllimshme.
Avokati Jovica Strashevski kërkoi ekspertizë të gëzhojës së gjetur në vendin e vrasjes së Pançe Zhezovskit, duke kritikuar Prokurorinë për mos-hetimin e të gjitha pistoletave të rregullta. Sipas raportimeve, gëzhoja nuk përputhet me të dhënat ekzistuese, dhe megjithëse Videvski ka një leje ligjore për armën që nga viti 1998, nuk ka të dhëna që tregojnë se është qëlluar me të.
Në fillim të seancës së kaluar dëgjimore, në pjesën e provave, i pandehuri Ljupço Palevski paraqiti shënime zyrtare nga video provat e kamerave të Hotel Romantik, të cilat, sipas shpjegimit të tij, vërtetojnë pjesëmarrjen e tre personave, jo të katërve, në rrëmbimin e Pançe Zhezovskit.
Avokati Vladimir Tufegxhiq, avokat mbrojtës i të pandehurit Aleksandar Gjorçevski, paralajmëroi plotësim të procedurës së provave në pjesën për gjendjen pronësore të Aleksandarit dhe procedurën që po zhvillohet për denacionalizimin e pronës së rëndësishme në Kuçkovë.
Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator 2024. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.