Gjykimet ndaj Merkos për emërimet e paligjshme të drejtorëve të shkollave drejt përfundimit, përmbyllja pritet në qershor

Sot në Gjykatën Themelore në Strugë ka vazhduar gjykimi kundër kryetarit të komunës Ramiz Merko për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në disa prej shkollave nën juridiksionin e vetëqeverisjes lokale. Sipas njoftimeve të gjyqtarit që kryeson lëndët, Jordan Jovanov, pritet që në seancat e ardhshme të planifikuara për në qershor të përmbyllin këto procese, të […]

Prill 10, 2025 - 17:15
 0
Gjykimet ndaj Merkos për emërimet e paligjshme të drejtorëve të shkollave drejt përfundimit, përmbyllja pritet në qershor
Ramis Merko në seancë gjyqësore. Foto printscreen nga video e TV24

Sot në Gjykatën Themelore në Strugë ka vazhduar gjykimi kundër kryetarit të komunës Ramiz Merko për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në disa prej shkollave nën juridiksionin e vetëqeverisjes lokale. Sipas njoftimeve të gjyqtarit që kryeson lëndët, Jordan Jovanov, pritet që në seancat e ardhshme të planifikuara për në qershor të përmbyllin këto procese, të cilat janë pjesë e veprave penale për të cilat po gjykohet Merko, njoftoi MIA, transmeton Portalb.mk.

Me kërkesë të gjyqtarit Jovanov, sot në sallën e gjyqit me shoqërim policor janë sjellë dëshmitarët për emërimet e paligjshme të drejtorëve të shkollave në Ladorishtë, Podgorcë dhe Labunishtë.

Shkak për të kërkuar ndihmën e policisë, siç ka bërë të ditur gjyqtari, ka qenë se ata nuk janë paraqitur në gjykimet e mëparshme për arsye të pajustifikuara. Për seancën e radhës, siç tha Jovanov, do të jenë edhe dy dëshmitarë.

“Në seancat e ardhshme në qershor do të dëgjohet edhe mbrojtja e të akuzuarve, e cila gjithmonë vjen e fundit”, tha gjyqtari Jovanov.

Në rastin e shkollës “Zini Hani” në Veleshtë, seanca është shtyrë pasi dëshmitari Urim Kaba nuk është paraqitur në sallë për shkaqe shëndetësore. Për këtë rast, përveç Merkos akuzohen edhe katër persona të tjerë për shpërdorim detyre dhe falsifikim. Sipas aktakuzës, përveç emërimit të paligjshëm të Egzona Shej drejtoreshë, ajo akuzohet edhe për falsifikim të diplomave.

“Këtu u tha se dëshmitari është penguar të paraqitet në seancë për arsye shëndetësore. Gjykata ka marrë konfirmimin se vërtet është kështu, kësaj radhe nuk bëhet fjalë për ndonjë arsyetim. Në ndërkohë janë siguruar të gjitha mekanizmat për të siguruar praninë e tij në seancën e ardhshme”, informoi gjyqtari Jovanov.

Ai tha se lista e provave është shteruar dhe pas dëgjimit të atij dëshmitari, në seancën e ardhshme do të dëgjohen edhe të pandehurit dhe do të përmbyllet lënda.

Avokati Dimitrija Coboski, i cili është mbrojtës i të akuzuarës Egzona Shej, tha se për ta ndjekur penalisht dikë për falsifikim të një dokumenti, duhet të iniciohet procedurë ndaj atyre që e falsifikuan atë.

“Ajo që është specifike për këtë rast është se dikush ndiqet për falsifikim, një formë e veprës penale të përdorimit të dokumentit të falsifikuar, pa vërtetuar dhe ofruar prova se është dokument i falsifikuar dhe pa filluar asnjë procedurë ndaj atyre që e kanë falsifikuar dokumentin. Prandaj, është e qartë se këtu diçka nuk është në rregull dhe do ta vërtetojmë gjatë procedurës provuese dhe duke pyetur të pandehurin”, tha Coboski.

Në rastin e shkollës fillore “Vëllezërit Miladinovci”, Merko akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme e ka emëruar Albana Zhutën ushtruese të detyrës së drejtoreshës dhe drejtoreshë e shkollës, edhe pse nuk i plotësonte kushtet, pra nuk ishte emëruar nga radhët e punonjësve, nuk e dha provimin e drejtorit dhe nuk kishte certifikatë përkatëse të njohjes së gjuhës angleze.

Ndaj Merkos u zhvilluan dje dy procese gjyqësore, për blerjen e një makine Audi A6 për nevoja të Komunës dhe për vendosjen e paligjshme të një pllake përkujtimore në godinën e komunës. Ai është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara (SHBA) për përfshirje në korrupsion.

Zyrtari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Strugës, Ramis Merko, ndiqet për 20 vepra penale. MPB-ja, nga viti 2007 e deri në viti 2024 i ka ngritur 12 padi penale. 18 vepra kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe dy për pakujdesi gjatë punës në shërbim. Kallëzimi i fundit penal kundër Merkos është më 16 dhjetor 2024 dhe kishte të bënte me punë të pakujdesshme në shërbim.