Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI, po ribrendohet në Front Kombëtar
Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI, po ribrendohet në Front Kombëtar duke transformuar karakterin e koalicionit nga multietnik në njëetnik. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur edhe u themelua Fronti Evropian, tubimet hapeshin me himnin e Evropës, ndërsa krahas liderëve të partive shqiptare, në krye të vendit uleshin dhe liderët e partive turke, rome dhe […]


Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI, po ribrendohet në Front Kombëtar duke transformuar karakterin e koalicionit nga multietnik në njëetnik. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur edhe u themelua Fronti Evropian, tubimet hapeshin me himnin e Evropës, ndërsa krahas liderëve të partive shqiptare, në krye të vendit uleshin dhe liderët e partive turke, rome dhe boshnjake, transmeton Alsat-M.
Vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti të enjten duke iu përgjigjur në pyetje të gazetarëve, përdori formulimin e ri për frontin.
“Nuk është shtruar çështja se a do t’i bashkohet zotëri Taravari, Frontit Kombëtar”, tha Ahmeti.
Që karakteri multietnik i Frontit po zhbëhet, e dëshmon edhe ky qëndrim i shefit të grupit parlamentar të Frontit, Blerim Bexheti, i cili duke cituar Ismail Qemalin, nën ilustrimin e një fotografie nga një tubim me flamuj shqiptar, theksoi se vetëm unifikimi i shqiptarëve mund të rikthejë dinjitetin, ndërsa nuk duhet pranuar që të tjerët të përcaktojnë fatin tonë.
Të njëjtën linjë shprehu edhe deputetja e Frontit, Dijana Toska, e cila në një postim në Facebook, duke shpërndarë një fotografi me deputetët e Frontit, mes tyre dhe turk, thekson se është koha për një Front Kombëtar, që shqiptarët të marrin vendin që u takon.
Narrativ i njëjtë ndërtohet edhe nëpërmjet kumtesave të BDI-së, duke i vënë theks karakterit etnik.
Ndërsa, formulimi i ri “Fronti Kombëtar” po përdoret gjithandej edhe nëpër rrjete sociale. Linjën e tillë e ka ndjekur me të shpejtë edhe partia e Arben Taravarit, e cila është në bisedime për bashkëpunim në zgjedhjet lokale të tetorit.
“Vazhdojnë bisedimet me partitë të cilat janë pjesë e opozitës për të krijuar një frymë e cila mbi të gjitha do ta ketë për bazë interesin kombëtar shqiptare. Pse jo të quhet edhe iniciativë kombëtare për ta kthyer peshën e votuesit shqiptar këtu në Maqedoni”, tha Blerant Ramadani nga ASH-ja e Taravarit.
Megjithatë, për këtë qasje nuk ka kurrfarë deklarimi nga bashkëpunëtorët e Frontit Evropian, Skender Rexhepi-Zejd, e as nga Menduh Thaçi, i cili e ka lëshuar koalicionin paraprakisht.
Për hir të mbijetesës, Ahmeti sërish nuk mundi të dilte i vetëm – iu përvesh lidhjes me Aleancat sepse nuk mund ta rikthejë besimin. Në zgjedhjet e kaluara ai bëri bashkë 4 komunitete (shqiptare, turke, boshnjake e rome) dhe 9 parti, ndërsa tani me Taravarin shtoi radhët vetëm për mbijetesë. Manovrat e tilla politike të BDI-së, për të transformuar karakterin e partisë, nuk janë diçka e re në historikun e kësaj partie, duke e pasur parasysh se në dy dekadat e fundit partia thirrej se është parti e dalë nga lufta, ndërsa në vitin 2021 u bë parti e gjelbër, pastaj u bë parti që udhëheq një koalicion multietnik, ndërsa tani siç duket dëshiron të rikthehet aty ku e ka nisur.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Partia Demokratike Evropiane (PDE), Lëvizja Populli (LP), Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), në mars të vitit 2024 në Tetovë zyrtarizuan koalicionin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nën moton e “Frontit Evropian”.