“Faleminderit, Ambasador!” – Nerova nis rrugën drejt shkollës së merituar
Angazhimi i drejtpërdrejtë dhe vendosmëria e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, kanë sjellë një fitore konkrete për nxënësit dhe prindërit shqiptarë të fshatit The post “Faleminderit, Ambasador!” – Nerova nis rrugën drejt shkollës së merituar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Angazhimi i drejtpërdrejtë dhe vendosmëria e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, kanë sjellë një fitore konkrete për nxënësit dhe prindërit shqiptarë të fshatit Nerovë të Krushevës, njofton Flaka.
Pas një vizite në këtë lokalitet javën e kaluar, ku dëgjoi shqetësimet e banorëve dhe premtoi përkrahje të plotë, ambasadori Meidani kaloi menjëherë në veprim. Në prani të komunitetit lokal, ai komunikoi drejtpërdrejt me zëvendëssekretarin për punë të përgjithshme në Qeveri, duke kërkuar përfshirjen e çështjes së shkollës në rend dite të mbledhjes së ardhshme të ekzekutivit.
Kjo ndërhyrje solli rezultat konkret: Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin që hap rrugën për legalizimin e objekteve shkollore në Nerovë. Vendimi përfshin:
- Përfshirjen e parcelës ku ndodhen objektet shkollore në planin urbanistik lokal;
- Kalimin e pronësisë së tokës nga shteti te Komuna e Krushevës;
- Legalizimin e dy objekteve të ndërtuara me kontributin e banorëve;
- Vendimmarrjen e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit në koordinim me komunitetin.
“Merita të posaçme i takojnë edhe Ambasadorit të Shqipërisë për përkrahjen dhe vizitën që na bëri në këtë shkollë, vizitë që dha edhe rezultatet e para konkrete,” – u shpreh Bexhet Babloku nga Bashkësia Lokale e Nerovës.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm për mbi 120 nxënës shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev”, të cilët prej vitesh mësuan në kushte jo të përshtatshme. Ndërtimi i objektit të ri, i financuar nga vetë komuniteti, ishte bllokuar nga autoritetet, çka kishte çuar në protesta dhe bojkot të mësimit nga ana e nxënësve.
Ambasadori Meidani ka treguar se diplomacia mund të jetë edhe zë i drejtpërdrejtë i qytetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat themelore si arsimi.
Kjo ndërhyrje ka forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet dhe ka dhënë një shembull konkret se përfaqësimi diplomatik nuk duhet të jetë vetëm ceremonial – por edhe veprues.
Shkolla në Nerovë nuk është më një ëndërr e bllokuar – falë bashkëpunimit të komunitetit dhe përkrahjes së ambasadorit Meidani, ajo po bëhet realitet. Flaka
The post “Faleminderit, Ambasador!” – Nerova nis rrugën drejt shkollës së merituar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .