DREJTPËRDREJT: Protestë në Shkup për jetët e marra nga korrupsioni (Foto – Video)
Nisur nga tragjedia e fundit në Koçan, qytetarët në Shkup sonte protestojnë kundër korrupsionit i cili solli deri te katër tragjeditë e fundit në vend: Koçani, spitali modular, Besa Transi dhe Durmo Tursi, raporton Portalb.mk. “Protestojmë sepse duam të jetojmë këtu… Protestojmë të mos ketë më viktima dhe të jemi të sigurt. Presim përgjegjësi nga […]


Nisur nga tragjedia e fundit në Koçan, qytetarët në Shkup sonte protestojnë kundër korrupsionit i cili solli deri te katër tragjeditë e fundit në vend: Koçani, spitali modular, Besa Transi dhe Durmo Tursi, raporton Portalb.mk.
“Protestojmë sepse duam të jetojmë këtu… Protestojmë të mos ketë më viktima dhe të jemi të sigurt. Presim përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë lidhje me tragjedinë në Koçan, por edhe nga tragjeditë tjera, duhet të përgjigjen…Presim transparencë nga organet hetuese…”, thanë mes tjerash nga Nisma “Kush është i radhës” para fillimit të protestës
Qytetarët fillimisht u mblodhën në sheshin “Maqedonia” ku u mbajtën tre minuta heshtje për viktimat, u vendosën lule dhe u ndezën dritat.
Protestuesit kanë filluar marshin drejt Kuvendit të RMV-së nga ku brohorasin: “Mjaft ishim ne, sistemi është i radhës”, “protestë e popullit”, “transparencë”.
“Nuk do të ju kalojë” bërtitën protestuesit para Kuvendit.
“Çdo njeri tjetër mund të jetë i radhës”, thonë protestuesit.
Protestuesit lëvizën drejt Parkut të Gruas përballë Kuvendit dhe Spitalit të Qytetit ku me duartrokitje prej 5 minutave falënderuan punonjësit shëndetësorë.
Protestuesit janë duke lëvizur në drejtim të Qeverisë së RMV-së, ku do të ketë heshtje për 16 minuta.
Portalb.mk ndodhet në terren dhe po ndjekë protestën nga afër. Për të rejat më të fundit lajmi do të përditësohet.
Sot u protestua edhe në Tetovë kundër korrupsionit i cili solli deri në katër tragjeditë e fundit në vend: Koçani, spitali modular, Besa Transi dhe Durmo Tursi,
Ditëve të kaluara janë mbajtur disa protesta paqësore për tragjedinë e Koçanit edhe atë në: Shkup, Kumanovë, Gostivar, Strugë, Koçan etj.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.