Deri në fund të korrikut, KE do të publikojë vlerësimin formal të reformave që RMV duhej t’i zbatonte deri në dhjetor
Deri në fund të muajit korrik të vitit 2025, Komisioni do të publikojë vlerësimin formal të reformave që duhej të zbatoheshin deri në dhjetor 2024. Pas kësaj, Komisioni do të vazhdojë me lirimin e fondeve bazuar në realizimin e hapave. Kjo do jetë si shtojcë e 24.4 milionë eurove të disbursuara tashmë në thesarin shtetror […]


Deri në fund të muajit korrik të vitit 2025, Komisioni do të publikojë vlerësimin formal të reformave që duhej të zbatoheshin deri në dhjetor 2024. Pas kësaj, Komisioni do të vazhdojë me lirimin e fondeve bazuar në realizimin e hapave. Kjo do jetë si shtojcë e 24.4 milionë eurove të disbursuara tashmë në thesarin shtetror si parafinancim kredie në mars 2025 nga 52.5 milionë, ndërsa 28.1 milionë eurot e mbetura (grant dhe kredi) janë ndarë në Kornizën Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), u njoftuan në takimin e parë të Komitetit të Monitorimit për zbatimin e Instrumentit të Reformave dhe Rritjes (RGF) që u zhvillua më 2 korrik 2025 në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Rregullorja e Komitetit të Monitorimit të RGF-së dhe përfundimet e përbashkëta nga takimi i parë do të publikohen në ditët në vijim.
Ky ishte takimi i parë i tillë në rajon. Takimi u bashkëkryesua, për Komisionin Evropian, nga Giulio Venneri, zëvendës shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, dhe për Maqedoninë e Veriut, nga Orhan Murtezani, ministër për Çështjet Evropiane dhe Koordinator Kombëtar i RGF-së.
“Pas miratimit të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformës në vitin 2024, që është në fazë të zbatimit, të dyja palët diskutuan për progresin e arritur dhe sfidat që lidhen me hapat e reformës. Autoritetet nacionale ranë dakord për rëndësinë e ndjekjes me vendosmëri edhe më të madhe të të gjitha objektivave të paarritura të reformës, si dhe për të siguruar monitorimin e duhur të procesit të buxhetimit dhe raportimit, duke garantuar transparencën në të gjithë procesin. Nevoja për një udhëheqje të fortë politike dhe pronësisë kombëtare më të madhe mbi procesin mbetet jetike për të siguruar rezultate të prekshme dhe në kohë”, njoftojnë nga Delegacioni i BE-së.
Një kontribut domethënës në monitorimin e zbatimit të Agjendës së Reformës nga një shoqëri civile e fuqizuar është theksuar si thelbësore. Përfshirja është thelbësore për të përshpejtuar arritjet e mëtejshme në reformat që lidhen me BE-në, stabilizimin socio-ekonomik dhe transparencën e përgjithshme, të cilat mund të përforcojnë zërin e qytetarëve dhe të ofrojnë kontribut të vazhdueshëm nga ekspertët.
Ndërkohë sot Bashkimi Demokratik për Integrim akuzoi se në hije të debaklit të madh në Parlamentin Evropian, po kalon në heshtje lajmi se shteti ka humbur pothuajse 40 milionë euro nga Plani për Rritje i Bashkimit Evropian, duke shtuar se këto mjete nuk ishin simbolike.
Nga ana tjetër, autoritet në vend kanë deklaruar se paratë nga Plani i rritjes nuk janë në rrezik. Përqindja e përfundimit të Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në qershor do të jetë pak më e ulët se në dhjetor, tha ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani më 30 qershor, me rastin e një vjetorit të qeverisë. Megjithatë, Murtezani beson se fondet evropiane nuk janë nën kërcënim, por tha se ato potencialisht mund të jenë nëse reformat nuk përfundojnë me sukses brenda afatit shtesë njëvjeçar.
- LEXO: BDI: Shetit ka humbur pothuajse 40 milionë euro nga Plani i Rritjes, ky lajm po kalon në heshtje
- LEXO: Murtezani: Fondet e BE-së nga Plani i Rritjes nuk janë në rrezik
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Shtatë përqind ose 52.5 milionë euro janë para që shtetet i marrin paraprakisht për të zbatuar këto reforma. Ato RMV-së i janë paguar tashmë në mars të këtij viti. Pjesa tjetër do të vijë në këste, varësisht nëse shteti do t’i përmbushë reformat brenda afatit të premtuar. Secila prej 136 aktiviteteve ka afat të caktuar. Nëse qeveria e përfundon aktivitetin brenda këtij afati, ajo i dërgon një raport Komisionit Evropian, i cili përfshin edhe dëshmi të punës së bërë. Komisioni, brenda pesëmbëdhjetë ditësh, e shqyrton dhe vlerëson progresin dhe, nëse është i kënaqshëm, e miraton pagesën e parave. Nëse një detyrim nuk përmbushet në kohë, ka një periudhë prej një viti në të cilën vendi mund ta korrigjojë atë. Për të përdorur plotësisht fondet, reformat duhet të përfundojnë deri në dhjetor 2027.