25 mijë euro dhe bizhuteri të përvetësuara nga një zyrtar policor nga Gostivari, sapo u zbulua pranoi fajin

Një zyrtar policor nga Gostivari dyshohet për veprën penale “Përvetësim në shërbim”, pasi ka marrë 25,000 euro dhe bizhuteri ari gjatë një inspektimi zyrtar dhe i ka përvetësuar ato. Edhe pse fillimisht kishte tentuar t’ia dorëzonte objektet prokurorit, ai i ruajti në dollapin e tij me urdhrin e prokurorit, por më pas i përdori për […]

Korrik 4, 2025 - 17:45
 0
25 mijë euro dhe bizhuteri të përvetësuara nga një zyrtar policor nga Gostivari, sapo u zbulua pranoi fajin
Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Një zyrtar policor nga Gostivari dyshohet për veprën penale “Përvetësim në shërbim”, pasi ka marrë 25,000 euro dhe bizhuteri ari gjatë një inspektimi zyrtar dhe i ka përvetësuar ato. Edhe pse fillimisht kishte tentuar t’ia dorëzonte objektet prokurorit, ai i ruajti në dollapin e tij me urdhrin e prokurorit, por më pas i përdori për të shlyer borxhe. Për të fshehur gjurmët, inskenoi sikur dollapi i tij ishte thyer gjatë një vjedhje. Pas zbulimit, ai e pranoi veprën dhe shprehu pendesë. Prokurori ka propozuar që të mbahet në paraburgim, transmeton Portalb.mk.

“I dyshuari, si teknik i kriminalistikës, është angazhuar në një inspektim në të cilin janë gjetur gjëra – para të gatshme në shumën prej 25,000 eurosh dhe bizhuteri ari që ai i ka fotografuar dhe i ka marrë. Pas inspektimit të kryer në kuadër të detyrave të tij zyrtare, ngjarja dhe objektet janë regjistruar në librin e ngjarjeve ditore dhe në sistemin CEMS. I dyshuari ka bërë disa përpjekje për t’ia dorëzuar objektet prokurorit publik kompetent, por për shkak të mungesës së kushteve të ruajtjes në zyrën e prokurorit, me udhëzime të prokurorit publik, ai i ka mbyllur ato në dollapin e tij në zyrën e tij. Objektet kanë qenë aty deri në momentin kur, megjithëse i janë besuar në shërbim, ai ka vendosur t’i përvetësojë. Kështu, në disa raste, ai tërhoqi një pjesë të parave dhe bizhuterive të arit që i shkëmbeu në një dyqan bizhuterish me para në dorë, të cilat më vonë i përdori për të shlyer borxhet. Për të fshehur gjurmët, i dyshuari hoqi drynin nga dollapi në zyrën e tij dhe inskenoi se ishte thyer”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së djeshme, kur kolegët e tij e informuan për ngjarjen, përkatësisht se në zyrën e tij po kryhej inspektim për shkak të dollapit të thyer, ai erdhi dhe rrëfeu veprën penale, duke shprehur pendim.

Prokurori në fjalë do t’i propozojë gjyqtarit të procedurës paraprake që i dyshuari të lihet në paraburgim.