Audiu luksoz me vlerë 66 mijë euro është blerë legalisht, deklaruan në gjykatë dëshmitarët e Merkos

Me dëshminë e ish-punonjëses së Entit Shtetëror të Revizionit dhe anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik të Komunës së Strugës, ka përfunduar seanca e dëshmitarëve në procesin ndaj kryetarit Ramis Merko për blerjen e veturës Audi A6. Në seancën e radhës të caktuar për 9 qershor në Gjykatën Themelore në Strugë, i pandehuri është paraparë […]

Prill 9, 2025 - 19:15
 0
Audiu luksoz me vlerë 66 mijë euro është blerë legalisht, deklaruan në gjykatë dëshmitarët e Merkos
Ramiz Merko, kryetari i Komunës së Strugës. Foto nga Ramiz Merko (Facebook)

Me dëshminë e ish-punonjëses së Entit Shtetëror të Revizionit dhe anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik të Komunës së Strugës, ka përfunduar seanca e dëshmitarëve në procesin ndaj kryetarit Ramis Merko për blerjen e veturës Audi A6. Në seancën e radhës të caktuar për 9 qershor në Gjykatën Themelore në Strugë, i pandehuri është paraparë të paraqesë mbrojtjen e tij, pas së cilës fjalët përfundimtare të avokatit mbrojtës, prokurorit publik dhe shpalljen e aktgjykimit, transmeton Portalb.mk.

“Në seancën e sotme shteruam provat verbale që gjykata i pranoi dhe u prezantuan edhe provat materiale. Tani mbetet të shihet i gjithë dokumentacioni, t’i jepet mundësia mbrojtjes dhe prokurorisë që t’i përgatisin fjalët përfundimtare dhe në seancën e radhës ta përfundojnë çështjen”, tha gjykatësi Jordan Jovanov, duke paralajmëruar përfundimin e rastit në qershor të këtij viti.

Pensionistja Liljana Stojanova, asokohe e punësuar në Entin Shtetëror të Revizionit, ka sqaruar se në kushtet e bllokimit të llogarisë, kryetari i Gjykatës Themelore ka nxjerrë vendim për shpenzimet më të nevojshme dhe funksionimin e Komunës. Në nëntor të vitit 2017, siç shtoi ajo, është bërë ndryshimi i atij vendimi dhe për Komunën është miratuar kufiri mujor prej mbi 50 milionë denarë, që do të thotë se për 12 muaj buxheti i përgjithshëm do të ishte 605 milionë, që e tejkalon buxhetin e rregullt vjetor.

Në cilësinë e dëshmitarëve janë paraqitur edhe kryetari i Komisionit për Prokurim Publik të Komunës së Strugës, Alija Ajdinovski dhe zëvendës anëtarja Erkanda Bauta. Sipas tyre, procedura e prokurimit për katër veturat, përfshirë edhe “Audi”, është realizuar në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik, pas vendimit të Këshillit të Komunës së Strugës për sigurimin e mjeteve në buxhet për këtë qëllim. Ajdinovski theksoi se në tender ka pasur dy oferta dhe është zgjedhur ajo më e favorshme.

Bauta, e cila ishte edhe anëtare e Komisionit për shitjen e automjeteve të vjetra komunale, tha se ato sipas saj nuk ishin funksionale, duke theksuar se Komuna kishte nevojë për vetura të reja dhe se flota e mëparshme përbëhej nga automjete të shtrenjta.

Mbrojtja e Merkos beson se në këtë rast nuk ka asnjë provë që tregon për ndonjë parregullsi në blerjen e veturës Audi A6.

Dëshmitarët, të cilët më herët kishin arsyetime për mospjesëmarrje në seancë, sot me urdhër të gjyqtarit janë shoqëruar nga policia në Gjykatën e Strugës.

Në Gjykatën Themelore në Strugë sot u mbajt edhe seanca tjetër kundër Merkos për vendosjen e një pllake përkujtimore në objektin e Komunës. Si kryetar i Komunës së Strugës, Merko, në mars të vitit të kaluar vendosi një pllakë përkujtimore në hyrje të ndërtesës së komunës, me të cilën, sipas aktakuzës, ka nxitur urrejtje dhe përçarje etnike në mesin e banorëve të Strugës, duke kryer një vepër penale nga neni 27 i Ligjit për Monumentet Memoriale. Me kërkesë të prokurorisë i është konfiskuar pasaporta dhe i kërkohet të paraqitet në gjykatë një herë në javë.

Kryetari i Strugës Ramiz Merko është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për shkak të përfshirjes në korrupsion. Ndaj tij janë ngritur nëntë akuza për sjellje të pahijshme në detyrë.

Zyrtari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Strugës, Ramis Merko, ndiqet për 20 vepra penale. MPB-ja, nga viti 2007 e deri në viti 2024 i ka ngritur 12 padi penale. 18 vepra kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe dy për pakujdesi gjatë punës në shërbim. Kallëzimi i fundit penal kundër Merkos është më 16 dhjetor 2024 dhe kishte të bënte me punë të pakujdesshme në shërbim.