Analizë: 82% e shqiptarëve në RMV mbështesin aspiratat e vendit për anëtarësim në BE
62% e popullsisë mbështet aspiratat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 56% e qytetarëve të anketuar që janë maqedonas etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. 82% e të anketuarve shqiptarë etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Këto janë gjetjet kryesore të Analizës […]


62% e popullsisë mbështet aspiratat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 56% e qytetarëve të anketuar që janë maqedonas etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. 82% e të anketuarve shqiptarë etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Këto janë gjetjet kryesore të Analizës së opinionit publik, lidhur me procesin e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian e kryer në vitin 2024, nga Instituti për Demokraci, Societas Civilis – Shkup, shkruan Portalb.mk.
Analiza zbulon se pothuajse 60% e të anketuarve që janë në favor të anëtarësimit në BE janë të motivuar nga pritshmëritë materiale.
“Pothuajse një e treta e popullsisë beson se zhvillimi ekonomik do të përfitojë më shumë nga anëtarësimi i suksesshëm në BE. Ndërsa, nxitësi kryesor janë shpesh përfitimet ekonomike, përfitimet jomateriale, si: reformat demokratike, stabiliteti dhe integrimi kulturor, gjithashtu njihen gjithnjë e më shumë si rezultate pozitive kryesore të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut. 60% e popullsisë nuk beson se përfitimet e anëtarësimit në BE do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar largimin e popullatës së re nga vendi”, thuhet në analizën e Institutit.
Kryetari i Institutit për Demokraci, Societas Civilis – Shkup, Marko Troshanovski, gjatë prezantimit të Analizës, theksoi se rënia e lehtë që ishte shënuar vite me radhë, është stabilizuar.
“Mbështetja mbetet në 62 përqind. Rënia e qëndrueshme ose e lehtë që kemi vërejtur për një dekadë po ndalet disi, gjë që nuk do të thotë se në fotografinë e gjerë nuk do të vazhdojë. Megjithatë, mund të konkludojmë se shumica e qytetarëve e mbështesin BE-në. Në pjesën për mbështetjen ndaj BE-së, të anketuarit më të rinj dhe më të vjetër janë ata që shfaqin pavendosmëri. Shënohet rritje ndaj qëndrimeve pozitive ndaj Kinës – te të rinjtë, dhe Rusisë – në mesin e më të moshuarve. Nuk është ndonjë përqindje e madhe, por vlen të theksohet se ekziston. BE-ja mbetet partneri më i dëshiruar për qytetarët e vendit tonë. Perceptimi i ndikimit të SHBA-së ka shënuar një rënie të ndjeshme, në krahasim me vitin e kaluar, me 20 për qind, që është një rënie e madhe. Dhe, në një farë mënyre, është edhe një ripozicionim i publikut përballë tendencave globale, ku tendenca është që SHBA-ja dalëngadalë të largohet nga rajoni dhe të zhvendosë vëmendjen e saj në fronte të tjera gjeopolitik”, tha Troshanovski.
Të dhënat parësore të përdorura në këtë analizë vijnë nga një sondazh i opinionit publik i kryer në periudhën tetor-dhjetor 2024, ku janë anketuar 1056 persona. Rezultatet paraqiten në përqindje dhe i nënshtrohen një gabimi statistikor prej ±3%. Studimi fokusohet në analizën e tendencave të përgjithshme dhe përcaktuesit kryesorë të mbështetjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në periudhën 2014-2024.
Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mickoski në takim me kryesuesin e Konferencës së Sigurisë së Mynihut
- LEXO: Murtezani: Në rrugën drejt BE-së, nuk ka mik më të madh për ne se Greqia
- LEXO: Murtezani takoi eurokomisioneren Kos në Bruksel, u diskutua edhe për ndryshimet kushtetuese
- LEXO: Rokas: Ka aktivitet diplomatik intensiv për integrimin evropian të RMV-së
- LEXO: Borisov: Në BE dhe NATO zhvillohen procese për Maqedoninë e Veriut pa prezencën e Bullgarisë
- LEXO: Presidenti i KE-së, Kosta: Bilateralizimi i procesit të zgjerimit të BE-së nuk është i drejtë dhe duhet ta shmangim atë