Aktivistët në Shkup kërkuan burg për personin i cili torturoi një qen deri në ngordhje, Penalja e shtyu seancën

“Shpirti i Feliksit vlen sa i njeriut”, “Stop dhunës ndaj kafshëve”, “Tortura e kafshëve është krim. Burg për vrasësit e Feliksit”, “Qeni i pari – kush është viktima e radhës”. Me këto pankarta, aktivistët e të drejtave të kafshëve protestuan para Gjykatës Penale, ku po mbahet seanca e parë kundër Ljube Krstevskit, i cili me […]

shkurt 26, 2025 - 13:45
 0
Aktivistët në Shkup kërkuan burg për personin i cili torturoi një qen deri në ngordhje, Penalja e shtyu seancën
Aktivistët në Shkup kërkuan burg për personin i cili në janar torturoi një qen deri në ngordhje. Foto printscreen nga video e 360Gradë

“Shpirti i Feliksit vlen sa i njeriut”, “Stop dhunës ndaj kafshëve”, “Tortura e kafshëve është krim. Burg për vrasësit e Feliksit”, “Qeni i pari – kush është viktima e radhës”. Me këto pankarta, aktivistët e të drejtave të kafshëve protestuan para Gjykatës Penale, ku po mbahet seanca e parë kundër Ljube Krstevskit, i cili me shufër metalike goditi në kokë qenin e pastrehë. Qeni edhe pse u shpëtua, më pas ngordhi si pasojë e plagëve të marra, transmeton Portalb.mk.

Aktivistët, disa prej të cilëve erdhën në gjykatë me kafshët e tyre shtëpiake, në emër të qenit dhe të gjithë të tjerëve si ai, para Penales thërrisnin “drejtësi për Feliksin” dhe “burg për vrasësin”.

Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Anima Mundi” thotë se kërkojnë dënime më të rrepta për torturimin dhe vrasjen e kafshëve, pa rrethana dhe masa lehtësuese.

Gjykimi për qenin u shty, për shkak se njëri nga të pandehurit dhe mbrojtja e tij nuk e kanë pranuar aktakuzën e as vendimin për masën e propozuar për sigurimin e pranisë.

Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Lidija Petrovska, ndërsa prokurorinë e përfaqëson prokurori publik Zoran Zdraev. Gjyqi është shtyrë për më 13 mars.

Të pandehurit Ljube Krstevski dhe Branko Bilbilovski akuzohen për “vrasjen dhe torturimin e kafshëve”, neni 233 paragrafi 1 i Kodit Penal i cili thotë “kushdo që vret kafshën pa arsye të fortë ose e keqtrajton atë ose e ekspozon atë në vuajtje të panevojshme ose i shkakton vuajtje dënohet me gjobë në para ose burg deri në tre vjet”.

Ngjarja e dhunës brutale ndaj qenit endacak shkaktoi reagime të ashpra në publik pasi u shfaq një video shqetësuese që tregonte personin duke kryer aktin e rëndë. Dhunuesi 61-vjeçar është thirrur në polici për intervistim dhe më pas është lënë i lirë, por ndaj tij ka bërë kallëzim penal për torturim të kafshëve, vepër e dënueshme me gjobë ose me burgim për gjashtë muaj.

Më 16 janar, Prokuroria Themelore Publike ka ngritur padi kundër dy personave për veprën penale të vrasjes dhe torturimit të kafshëve. Prokuroria tha se duke marrë parasysh para së gjithash ankthin publik të shkaktuar nga video e torturimit të një qeni në Momin Potok, menjëherë pas paraqitjes së kallëzimit penal janë ndërmarrë veprime dhe është mbledhur i gjithë materiali dëshmues.

Siç thuhet nga Prokuroria, më datë 19.11.2024, dy bashkëkryesit e kanë ekspozuar atë në vuajtje të panevojshme dhe i kanë shkaktuar dhimbje të panevojshme, duke ekspozuar në vuajtje qenin Feliks, mashkull i zi, rreth një vjeç.