“Aeroporti” i Tetovës: Pistë që përfundon në qorrsokak, tani për tani nuk ka vazhdim të rrugës për në Poroj dhe lidhje me qarkoren
U promovua me pompozitet të madh, madje u quajt edhe “Aeroporti” i Tetovës, por bulevardi “Vidoe Smileski Bato” i cili u vazhdua për rreth 700 metra, për momentin përfundon në qorrsokak, gjegjësisht në fushë. I njëjti sipas planit duhet të vazhdohet deri në fshatin Poroj dhe të lidhet me qarkoren e cila del në fshatin […]


U promovua me pompozitet të madh, madje u quajt edhe “Aeroporti” i Tetovës, por bulevardi “Vidoe Smileski Bato” i cili u vazhdua për rreth 700 metra, për momentin përfundon në qorrsokak, gjegjësisht në fushë. I njëjti sipas planit duhet të vazhdohet deri në fshatin Poroj dhe të lidhet me qarkoren e cila del në fshatin Neproshten, por për vazhdimin e kësaj pjese nuk ka ende asgjë konkrete, shkruan Portalb.mk.
Funksionarët qeveritarë dhe aktivistët partiakë, dje (6 prill) u mblodhën në Tetovë për të promovuar këtë projekt prej 1.1 milionë eurove dhe e hëngrën bakllavanë e bulevardit, në të cilin nuk mund të vozitet ende, sepse i njëjti nuk ka dalje në rrugën Tetovë-Jazhincë.
Ky seksion i bulevardit edhe pse është kompletuar, nuk do të mund të shfrytëzohet pasi seksioni i dytë 1133 metra i gjatë ende nuk është ndërtuar. Seksioni i parë përfundon me ekskavatorë të parkuar.
Momentalisht ky bulevard nuk e kryen funksionin e tij që është lehtësimi i trafikut në hyrje të qytetit në lagjen Drenovec, fshatin Poroj dhe Xhepçisht, për në rrugën Tetovë – Jazhincë.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoskin paralajmëruan investime infrastrukturore të reja, por nuk ishin konkret se për çfarë dhe nëse do të jetë vazhdimi i këtij bulevardi një ndër to.
“Ky projekt është i rëndësishëm që zgjedh një ndër problemet më të mëdha të Komunës së Tetovës të infrastrukturës. Është i rëndësishëm edhe nga shkaku që paralajmëron valë të madhe investimesh në infrastrukturë të përkrahura nga Qeveria, që për këtë vit për Tetovën do të jetë një vlerë diku rreth 15 milionë euro dhe që një pjesë e madhe janë të parapara në përmirësimin e infrastrukturës rrugore”, tha Kasami.
Ndërsa kryeministri tha se do të ketë projekte të tjera të mëdha.
“E dëgjuam edhe kreun e kryetarin për Tetovën ka projekte që do financohen në vlerë prej rreth 15 milion euro”, tha Mickoski.
Kërkuam sqarime në Komunën e Tetovës se cila do të jetë e ardhmja e kësaj rruge, por nga atje nuk na u përgjigjën.
Në brifingun e fundit të Kasamit me gazetarët, më 27 mars, kur u pyet se a ka mjete për vazhdimin e bulevardit për në Poroj, ai tha:
“Jo, në këtë fazë projekti është i bulevardit, nga aty do të vazhdojë në dy krahë, njëri deri në Poroj dhe tjetri do të lidhet me qarkoren që është në ndërtim e sipër, diku në pjesën e Treboshit”.
Kujtojmë se punimet për vazhdimin e bulevardit “Vidoe Smileski Bato’ (Industrial) nga pjesa në Kazermën e qytetit filluan më 16 korrik 2023.
Ndërkaq, hapja e bulevardit “Industrial” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska” është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.