8 pacientë nga Shkupi lirohen për në shtëpi, nga jashtë kthehen edhe 9 pacientë

Në deklaratën e sotme për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, informoi se aktualisht në institucionet shëndetësore në Shkup janë të shtruar 22 pacientë, të gjithë në gjendje stabile dhe të mirë, nga të cilët 8 pacientë sot po lirohen për trajtim në kushte shtëpie, transmeton Portalb.mk. Aktualisht, 8 pacientë po trajtohen në Qendrën Klinike, […]

Mars 28, 2025 - 14:45
 0
8 pacientë nga Shkupi lirohen për në shtëpi, nga jashtë kthehen edhe 9 pacientë
Familjarët e personave të lënduar nga rasti i Koçanit, duke pritur para spitalit Shën Naumi i Ohrit Shkup. Foto nga Portalb.mk

Në deklaratën e sotme për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, informoi se aktualisht në institucionet shëndetësore në Shkup janë të shtruar 22 pacientë, të gjithë në gjendje stabile dhe të mirë, nga të cilët 8 pacientë sot po lirohen për trajtim në kushte shtëpie, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht, 8 pacientë po trajtohen në Qendrën Klinike, nga të cilët 6 në toksikologji dhe 2 në kirurgjinë plastike, 6 pacientë në Spitalin e Vjetër të Qytetit, 5 në Spitalin “8 Shtatori” dhe 3 në Sistina.

Në shtetet e huaja për momentin janë të shtruar 91 pacientë, ndërsa sot është planifikuar të kthehen gjithsej 9 pacientë nga disa vende – Hungaria, Italia, Greqia, Serbia dhe Suedia, theksoi ministri Taravari.

Lidhur me pacientët që janë në gjendje kritike, ministri tha se disa analiza laboratorike tregojnë përmirësim krahasuar me ditët e mëparshme.

“Edhe pse janë ende në gjendje të rëndë, janë në një gjendje të përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme. Jam optimist se edhe ata do të përmirësohen – ky është informacioni im. Disa parametra laboratorikë tregojnë se ka një përmirësim sot. Megjithatë, duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm. Kur të jenë më mirë, do t’ju njoftojmë. Tani për tani ky është informacioni”, tha ministri, duke lënë të kuptohet se nesër do të kthehen dy pacientë nga Suedia dhe Lituania.

Pas kthimit të pacientëve nga jashtë, duhet të ndjekim protokollet e shtabit të krizës, domethënë kryhen detyrimisht analiza toksikologjike dhe zbatohet mbikëqyrje 24-orëshe, deklaroi ministri.

Taravari përsëriti se trajtimi për të gjithë pacientët është zero denarë dhe sigurohet bileta e avionit dhe akomodimi për dy anëtarë të familjes së personave që trajtohen jashtë vendit. Ai është decid që të gjitha shpenzimet e pacientit janë të mbuluara – nga gjumi dhe trajtimi deri te transporti.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.