Transformim i sistemit tatimor me e-fatura në RMV: Pritet t’u jepet fund kompanive fantazmë

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka prezantuar platformën kombëtare për faturimin elektronik, faturën elektronike, e cila paralajmëron transformim të sistemit tatimor të vendit, transmeton Portalb.mk. Me këtë sistem, çdo transaksion jo-cash do të regjistrohet dhe kontrollohet në kohë reale, me qëllim rritjen e transparencës, disiplinës dhe besimit në sistemin fiskal. Fatura elektronike është një […]

qershor 27, 2025 - 18:00
 0
Transformim i sistemit tatimor me e-fatura në RMV: Pritet t’u jepet fund kompanive fantazmë
Dokument. Foto: Qeveria e RMV-së

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka prezantuar platformën kombëtare për faturimin elektronik, faturën elektronike, e cila paralajmëron transformim të sistemit tatimor të vendit, transmeton Portalb.mk.

Me këtë sistem, çdo transaksion jo-cash do të regjistrohet dhe kontrollohet në kohë reale, me qëllim rritjen e transparencës, disiplinës dhe besimit në sistemin fiskal.

Fatura elektronike është një dokument i dyfishtë, një regjistër tatimor komercial dhe i automatizuar që zëvendëson modelin ekzistues të raportimit mujor ose tremujor të të dhënave në DAP.

Sistemi i ri lejon që informacioni nga çdo faturë të mbërrijë menjëherë, pas lëshimit të saj.

Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova, theksoi se ky projekt është më shumë sesa një risi teknike.

“Ne do ta publikojmë standardin dhe specifikimin e elementëve të detyrueshëm të faturës elektronike brenda një kohe të arsyeshme, në mënyrë që sektori i biznesit të mund të përgatitet në kohën e duhur”, tha ajo.

Sipas saj, ky sistem do të thotë lehtësim administrativ dhe financiar për kompanitë, gjë që do të eliminojë nevojën për të shtypur, dërguar ose ruajtur faturat në letër.

“Sidomos për pronarët e bizneseve, kjo do të lejojë kontroll, siguri dhe llogaridhënie më të madhe sepse çdo faturë do të nënshkruhet në mënyrë digjitale dhe do të ketë  gjurmë elektronike”, tha Petrova.

Ministrja e Ekonomisë Gordana Dimitrieska-Koçoska theksoi se ky sistem është me rëndësi të madhe në luftën kundër ekonomisë së fshehtë.

“Duke pasur parasysh se TVSH-ja është një nga të ardhurat më të rëndësishme buxhetore, përmes faturës elektronike do të kemi një pasqyrë më të mirë se kush, kur dhe si i faturon, dhe kështu zvogëlohet mundësia e abuzimit. Ky sistem është një mjet për parandalimin e fenomeneve që kemi vërejtur në të kaluarën”, tha ministrja.

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vizitoi sot DAP-in, theksoi rëndësinë e këtij sistemi në luftën kundër krimit financiar.

“Me zbatimin e faturës elektronike, rreziku i shfaqjes së kompanive fantazmë që kanë thithur qindra miliona euro nga buxheti përmes rimbursimeve të rreme të TVSH-së zvogëlohet ndjeshëm. Nëse zbatohet saktë, siç besoj se do të zbatohet, abuzime të tilla do të bëhen praktikisht të pamundura”, tha ai.

Procesi i zbatimit të faturës elektronike është i organizuar në faza dhe faza pilot me përfaqësues nga sektori i biznesit fillon më 1 janar 2026.

Zbatimi i detyrueshëm pritet në tremujorin e tretë të vitit 2026.

Kujtojmë se më 9 qershor Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar ngriti kallëzime penale kundër 27 personave fizikë dhe 15 juridikë nga Strumica për bashkim kriminal, pastrim parash dhe mashtrim tatimor. Tre persona organizuan një grup kriminal që nga viti 2019, duke përdorur kompani fiktive dhe fatura të rreme për të përfituar në mënyrë të paligjshme. Në skemë ishin përfshirë kontabilistë dhe inspektorë të DAP-it, të cilët ndihmonin në manipulimin e dokumenteve financiare. Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit arrin mbi 94 milionë euro.