RMV, thirrje publike për vetëpunësim: Për të rinjtë deri në 29 vjeç grante deri në 10.000 euro dhe për të papunët mbi 29 vjeç deri në 7.000 euro
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me drejtorin e Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Selajdin Beluli, shpallën sot zyrtarisht hapjen e thirrjes publike për Masën 1.1 dhe Masën 1.2 në kuadër të Planit Operativ për Punësim për vitin 2025, të cilat synojnë mbështetjen e vetëpunësimit për qytetarët e […]


Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me drejtorin e Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Selajdin Beluli, shpallën sot zyrtarisht hapjen e thirrjes publike për Masën 1.1 dhe Masën 1.2 në kuadër të Planit Operativ për Punësim për vitin 2025, të cilat synojnë mbështetjen e vetëpunësimit për qytetarët e papunë të regjistruar në Agjencinë për Punësim, transmeton Portalb.mk.
Masa 1.1 është e dedikuar për personat mbi 29 vjeç dhe siguron mbështetje financiare prej 430.500 denarë ose 7.000 euro për themelimin e biznesit të ri, dhe Masa 1.2 vlen për të rinjtë deri në 29 vjeç, të cilët kanë mundësi të marrin mbështetje deri në 615.000 denarë ose 10.000 euro për themelimin e biznesit të tyre.
Të dy masat përfshijnë gjithashtu trajnime për sipërmarrësi, përgatitje të planit të biznesit dhe mentorim për një periudhë 6-mujore për grupet qëllimore, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, pjesëtarët e komunitetit rom dhe gratë nga zonat rurale.
“Këto masa nuk janë thjesht ndihma financiare, por janë investim i drejtpërdrejtë në potencialin e qytetarëve dhe në zhvillimin e ekonomisë lokale,” theksoi ministri Durmishi gjatë konferencës për media.
Përmes këtij angazhimi, Ministria e Ekonomisë dhe Punës konfirmon përkushtimin e saj për ndërtimin e një tregu gjithëpërfshirës të punës dhe fuqizimin e individit si aktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.
Planin Qeveria, e publikoi më 28 maj, ku njoftoi se gjithsej 720 të rinj do të marrin mbështetje për vetëpunësim (të rinj të punësuar deri në moshën 29 vjeç), dhe me masën, ata do të marrin mbështetje për të filluar ose formalizuar biznesin e tyre, me kusht që të jenë të regjistruar në APRMV me të paktën arsim fillor të përfunduar.
Pritet që rreth 65% e personave të përfshirë të jenë të rinj deri në moshën 29 vjeç.