Nerovë: Vazhdojnë bojkoti i mësimit – Banorët kërkojnë legalizimin e objektit të ri shkollor
Në shkollën fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë, Komuna e Krushevës, ka vazhduar edhe sot bojkoti i mësimit nga ana e nxënësve, për shkak të kushteve të rënda infrastrukturore në The post Nerovë: Vazhdojnë bojkoti i mësimit – Banorët kërkojnë legalizimin e objektit të ri shkollor appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Në shkollën fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë, Komuna e Krushevës, ka vazhduar edhe sot bojkoti i mësimit nga ana e nxënësve, për shkak të kushteve të rënda infrastrukturore në objektin aktual. Prindërit kanë marrë vendim që të mos i lejojnë fëmijët e tyre të ndjekin mësimin deri në një zgjidhje të qartë nga institucionet kompetente, përcjell Flaka
Sipas banorëve, objekti i vjetër shkollor është në gjendje të tmerrshme fizike dhe nuk përmbush as kushtet më bazike për zhvillimin normal të procesit arsimor. Ndërkohë, një objekt i ri shkollor po ndërtohet nga vetë banorët e fshatit, por punimet janë ndërprerë nga policia, me arsyetimin se ndërtimi po bëhet pa leje ndërtimore.
“Fëmijët e mi janë në klasën e gjashtë dhe të dytë. I mbajmë në shtëpi. Nuk i dërgojmë në shkollë deri në fund të javës, sepse kushtet janë katastrofale. Apelojmë tek Qeveria dhe të gjitha ministritë për t’i dhënë fund kësaj situate. Janë 145 nxënës në kushte të papranueshme”, – deklaroi Abip Izairi, banor i fshatit Nerovë.
Reagime politike dhe interesim në rritje
Kjo situatë ka zgjuar reagim të gjerë publik dhe politik. Sipas banorëve, pas ndërprerjes së punimeve dhe paralajmërimeve për rrënimin e objektit të ri, përfaqësues të partive politike kanë shfaqur interes të lartë për çështjen.
Gjatë ditës, fshatin e vizitoi lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela. Reagoi edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ndaj tentimit për rrënimin e objektit shkollor të ndërtuar nga banorët shqiptarë në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës, duke theksuar se në kohën e “serialeve politike” është pikërisht populli ai që harrohet.
“Si parti jemi sa të prekur po aq edhe në krah të banorëve të fshatit Nerovë dhe të kauzës së tyre. Në mungesë të një shkolle, ata kanë ndërtuar vet objektin e saj – një vepër fisnike dhe e rrallë,” deklaron Taravari. Ai shpreh shqetësimin për faktin që autoritetet shtetërore kanë ndërmarrë hapa për ta shembur shkollën me arsyetimin se është ndërtuar pa leje.
“Me dashamirësi i kërkojmë organeve kompetente mos ta shembin këtë shkollë! Ajo është ndërtuar nga prindërit për fëmijët e tyre,” thekson Taravari. Në fund të reagimit të tij, Taravari ngre një pyetje të drejtpërdrejtë që po përhapet me shpejtësi edhe në opinion publik: “Kush është më e drejtë? Një kazino me leje apo një shkollë pa leje?”
“Tani të gjithë na japin përkrahje politike. Do të shohim si do të rrjedhin veprimet konkrete në ditët në vijim”, – u shpreh sërish Izairi.
Qëndrimi i Komunës: 90% e objekteve pa plan urbanistik
Kryetari i Komunës së Krushevës, Tome Hristoski, e ka pranuar se rreth 90% e objekteve në fshatrat e komunës janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe shkollën ekzistuese në Nerovë.
Ai ka deklaruar se do të kërkojë nga Qeveria legalizimin e objektit të ri të ndërtuar nga banorët dhe më pas Inspektorati i Arsimit do të vendosë nëse objekti i përmbush standardet për të funksionuar si shkollë publike.
Ndërsa tensionet në fshat mbeten të larta dhe bojkoti vazhdon, banorët presin një ndërhyrje urgjente nga institucionet për të evituar thellimin e krizës arsimore në këtë komunitet rural që ka mbi 140 nxënës pa kushte minimale për shkollim.
The post Nerovë: Vazhdojnë bojkoti i mësimit – Banorët kërkojnë legalizimin e objektit të ri shkollor appeared first on Flaka, në çdo lajm... .