Maksuti, pjesë e grupit punues: Propozim-ligji nuk ka mekanizma për zbatim – vetëm vullnet politik

Profesor Mersim Maksuti, anëtar i grupit punues për Propozim-Ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, ka reaguar publikisht pas miratimit të këtij ligji në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke The post Maksuti, pjesë e grupit punues: Propozim-ligji nuk ka mekanizma për zbatim – vetëm vullnet politik appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

qershor 25, 2025 - 16:45
 0
Maksuti, pjesë e grupit punues: Propozim-ligji nuk ka mekanizma për zbatim – vetëm vullnet politik

Profesor Mersim Maksuti, anëtar i grupit punues për Propozim-Ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, ka reaguar publikisht pas miratimit të këtij ligji në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke paraqitur mendimin e tij ndryshe nga ai i shumicës së grupit.

Në një reagim të detajuar, Maksuti vlerëson se ligji në formën e tanishme nuk garanton zbatim efektiv, pasi nuk ka mekanizma detyrues apo mbikëqyrës realë dhe lë zbatimin në dorë të vullnetit politik të një “Trupi Koordinativ” pa kompetenca të qarta.

“Ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe nuk ka juridiksion të mbikëqyrë institucionet për zbatimin e ligjit, as të propozojë masa për përgjegjësi politike ndaj shkelësve të tij,” – thekson profesori universitar.

Drejtësia kolektive në konflikt me profesionalizmin individual

Një prej kritikave më të forta të Maksutit ka të bëjë me mënyrën si ky ligj trajton raportin mes të drejtave kolektive etnike dhe kritereve të profesionalizmit individual.

“Ky ligj kushtëzon përfaqësimin me kritere si barazia, profesionalizmi dhe kompetenca. Kjo mund të shërbejë si alibi për të refuzuar përfaqësimin e bashkësive më pak të përfaqësuara, çka bie ndesh me Kushtetutën dhe Amendamentin VI,” – shprehet Maksuti.

Ai shton se, në rast të një konflikti ndërmjet të drejtës kolektive dhe asaj individuale, e drejta kolektive duhet të ketë përparësi, pasi garanton qëllimin themelor të amendamentit kushtetues – përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive.

Kritikë ndaj ndikimit të Gjykatës Kushtetuese

Në vërejtjen e tij të tretë, profesori flet për ndikimin “joproporcional” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte vlerësuar si jokushtetues detyrimin për deklarimin e përkatësisë etnike në konkurset publike.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ndalon legjislativin të përcaktojë masa për përfaqësim me ligj. Në këtë rast, duket se Gjykata po vepron si legjislativ, gjë që është kompetencë vetëm e Kuvendit,” – thotë ai.

Sipas Maksutit, në vend të heqjes dorë nga mekanizmat e përfaqësimit, ligji duhet të zhvillojë forma të tjera të balancimit, siç është koncepti i pabarazisë në barazi, për të adresuar disbalancat historike.

Pa sanksione, pa gjykata – pa efekt ligji

Vërejtja e fundit, por një ndër më të rëndësishmet, ka të bëjë me mungesën e mbrojtjes juridike të ligjit dhe mospërcaktimin e sanksioneve për moszbatim.

“Ne nuk jemi shtet skandinav. Në një kontekst si i yni, nuk mund të presim që ligji të zbatohet vetëm me ndërgjegje institucionale,” – paralajmëron Maksuti.

Ai thekson se pa sanksione konkrete dhe pa përgjegjësi politike apo juridike për zyrtarët që e neglizhojnë ligjin, ky Propozim-Ligj nuk do të ketë asnjë efekt të matshëm në praktikë.

Përfundimisht, profesor Mersim Maksuti fton publikun dhe aktorët politikë që të mos shohin këtë ligj si një arritje formale, por të nisin një debat serioz për reformimin dhe forcimin e mekanizmave ligjorë që garantojnë përfaqësimin real dhe kushtetues të të gjitha bashkësive në institucionet publike të RMV-së.

The post Maksuti, pjesë e grupit punues: Propozim-ligji nuk ka mekanizma për zbatim – vetëm vullnet politik appeared first on Flaka, në çdo lajm... .