LSDM publikoi dokumente për kurdisje tenderësh në Ministrinë e Digjitalizimit, Andonovski: Është gënjeshtër
LSDM sot ka publikuar dokumente ku pretendon se kompania e udhëhequr nga bashkëshorti i Gordana Klinçarovës, sekretare shtetërore në Ministrinë e Digjitalizimit dhe personi i dytë në këtë departament, ka marrë tenderë në vlerë prej 50 mijë eurosh nga i njëjti institucion. “Mateo Design Ltd” nga Martin Kliçarov, sipas LSDM-së, ka pranuar dy kontrata nga […]


LSDM sot ka publikuar dokumente ku pretendon se kompania e udhëhequr nga bashkëshorti i Gordana Klinçarovës, sekretare shtetërore në Ministrinë e Digjitalizimit dhe personi i dytë në këtë departament, ka marrë tenderë në vlerë prej 50 mijë eurosh nga i njëjti institucion. “Mateo Design Ltd” nga Martin Kliçarov, sipas LSDM-së, ka pranuar dy kontrata nga Ministria e Transformimit Digjital e udhëhequr nga ministri Stefan Andonovski, transmeton Portalb.mk.
“Kontrata e parë është për blerjen e pajisjeve për konferenca dhe prezantime në vlerë prej 2,4 milionë denarë, ndërsa kontrata e dytë është për blerjen e pajisjeve të TI-së në vlerë prej 529.000 denarë. Këtu, të nderuar, përfundojnë paratë e qytetarëve – në kompanitë familjare të zyrtarëve të DPMNE-së. Ky është shembull flagrant i konfliktit të interesit dhe nepotizmit, por edhe dyshim i rëndë për korrupsion”, tha sot zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, duke treguar marrëveshjet.
Ajo tha se vetë ministri Andonovski i ka nënshkruar këto prokurime publike. Sipas Kuzeskës, e njëjta kompani ka marrë pjesë në ndërtimin e projektit “Shkupi 2014”, me vendosjen e mermerit dhe rikonstruksionin e urës “Goce Dellçev”.
Kjo kompani ka marrë tender edhe nga Komuna e Aerodromit kur bashkëshortja e tij Klinçarova ka qenë bashkëpunëtore e kryetarit të mëparshëm dhe tani ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski.
Nga ana tjetër, ministri Andonovski, thotë se sekretarja shtetërore në Ministri, Gordana Klinçarova, nuk merr pjesë në asnjë procedurë të prokurimit publik. Ai thotë se angazhimi i saj është në punën administrativo-buxhetore të Ministrisë dhe nuk ka konflikt interesi apo ndikim në procedurë nga ana e saj.
“Gënjeshtra numër dy është se unë kam qenë i përfshirë në përzgjedhjen e kompanisë. Këto janë komisione ekspertësh që e kanë kryer objektivisht punën e tyre. Nuk kam aftësinë ligjore të hulumtoj kontaktet e secilit prej 150 punonjësve në Ministri”, tha ministri për mediat.
Ai i bëri thirrje KSHPK-së dhe Prokurorisë Publike që të hetojnë të gjitha pretendimet që do t’i konsiderojnë të diskutueshme. Ai thotë se janë të bindur për ligjshmërinë e procedurës.
“Bëhet fjalë për një prokurim të pajisjeve për konferenca dhe prezantime për të cilin, për fat të keq, ka aplikuar vetëm një kompani, pavarësisht kritereve të gjera dhe objektive të përcaktuara në të. Me shumë gjasa për shkak të sjelljes së LSDM-së dhe BDI-së si qeveri në të kaluarën, kjo është praktikë e zakonshme në procedurat e prokurimit publik, edhe për kërkesat më të thjeshta. Kompania e përzgjedhur ka plotësuar kushtet dhe kriteret e kërkuara dhe askush nuk ka paraqitur asnjë ankesë për procedurën. Së fundi, më lejoni të them se LSDM-ja nuk ka pushuar që prej javësh të më ofendojë, të më nënçmojë dhe të gënjejë për mua dhe familjen time. I bëj thirrje që të kërkojnë falje për të pavërtetat dhe gënjeshtrat që kanë thënë në konferencën e sotme për media. Përndryshe, rezervoj të drejtën dhe mundësinë që t’i kërkoj përgjegjësi për fyerje dhe shpifje para gjykatave në Maqedoni”, tha Andonovski.