Katër pacientë të tjerë të lënduar në rastin Koçani sot do të kthehen nga jashtë

Ministria e Shëndetësisë informoi se sot do të kthehen katër nga personat e lënduar në zjarrin në Koçan, të cilët janë trajtuar në qendra mjekësore në Kroaci (dy pacientë), Suedi (1 pacient) dhe Itali (1 pacient), transmeton Portalb.mk. Në shtetet e huaja janë të hospitalizuar gjithsej 60 pacientë. Gjendja e pacientëve që trajtohen jashtë vendit […]

Prill 9, 2025 - 13:45
 0
Katër pacientë të tjerë të lënduar në rastin Koçani sot do të kthehen nga jashtë

Ministria e Shëndetësisë informoi se sot do të kthehen katër nga personat e lënduar në zjarrin në Koçan, të cilët janë trajtuar në qendra mjekësore në Kroaci (dy pacientë), Suedi (1 pacient) dhe Itali (1 pacient), transmeton Portalb.mk.

Në shtetet e huaja janë të hospitalizuar gjithsej 60 pacientë. Gjendja e pacientëve që trajtohen jashtë vendit mbetet e pandryshuar, përfshirë edhe gjendjen e pacientëve në gjendje kritike.

“Në spitalet në vend aktualisht po trajtohen 7 pacientë, prej të cilëve katër në Klinikën e Kirurgjisë “Shën Naum i Ohrit”, dy pacientë në spitalin privat Sistina dhe një pacient në Klinikën për Pulmologji. Ministria e Shëndetësisë po e ndjek vazhdimisht gjendjen e pacientëve të lënduar, me qëllim të ofrimit të trajtimit më të mirë të mundshëm dhe rehabilitimit të mëtejshëm”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, katër pacientë të tjerë të lënduar nga zjarri në Koçan, të cilët po trajtoheshin në spitalin Pirogov të Sofjes, dje u liruan për mjekim shtëpiak, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë. Maja Argirova, udhëheqëse e Klinikës së Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike në spital, tha se të katër pacientët janë në gjendje të mirë.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.