Dosja e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut: 10 ministra për 19 vite

Mandatin më të gjatë si Ministër i Shëndetësisë prej 6 vitesh e kishte Nikolla Todorovi; ndërsa më të shkurtin prej 5 muajsh e kishin Arben Taravari në vitin 2017 dhe Ilir Demiri në vitin 2024. Në një periudhë prej 19 vitesh, në Ministrinë e Shëndetësisë ka pasur 10 ndryshime ministrore, duke përfshirë ndryshimin e fundit […]

maj 19, 2025 - 08:15
 0
Dosja e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut: 10 ministra për 19 vite
Ministria e Shëndetësisë e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mandatin më të gjatë si Ministër i Shëndetësisë prej 6 vitesh e kishte Nikolla Todorovi; ndërsa më të shkurtin prej 5 muajsh e kishin Arben Taravari në vitin 2017 dhe Ilir Demiri në vitin 2024. Në një periudhë prej 19 vitesh, në Ministrinë e Shëndetësisë ka pasur 10 ndryshime ministrore, duke përfshirë ndryshimin e fundit që do të ndodhë tani, pas largimit të krahut të AA-së nga qeveria. Portalb.mk ka bërë një renditje kronologjike të ministrave të deritanishëm të shëndetësisë dhe një analizë të buxhetit të këtij dikasteri, i cili tejkalon 120 milionë euro.

Todorovi dhe Filipçe me mandatet më të gjata ministrore, Taravari dhe Demiri me mandatet më të shkurtra

Nga viti 2006 deri më tani, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë ndodhur nëntë ndryshime ministrore, tani pritet ta marrë detyrën ministri i dhjetë pasi Arben Taravari njoftoi se do të kalojë në opozitë. Gjatë një periudhe prej 19 vitesh, kjo ministri, e cila është një nga më kryesoret si për sa i përket çështjeve që i mbulon ashtu edhe për sa i përket madhësisë së buxhetit, u drejtua nga tetë ministra, me atë që Arben Taravari e drejtoi ministrinë dy herë, si pjesë e dy përbërjeve të ndryshme qeveritare. Të rrallë janë ministrat e shëndetësisë që kanë arritur të përmbyllin një mandat të tërë ministror. 

Kronologjikisht, në gusht të vitit 2006, si përfaqësues i PDSH-së, drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë e mori Imer Selmani dhe në këtë pozicion qëndroi deri në korrik të vitit 2008. Pasardhësi i tij ishte Bujar Osmani nga BDI-ja, i cili e drejtoi ministrinë deri në vitin 2011. Mandatin më të gjatë ministror e ka Nikolla Todorovi nga VMRO-DPMNE-ja, nga vera e vitit 2011 deri në qershor të vitit 2017.

Pas Todorovit, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë erdhi Arben Taravari, si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët, por mandati i tij ministror zgjati vetëm 5 muaj, nga 1 qershori 2017 deri në fund të tetorit të po atij viti. Pas zgjedhjeve, në dhjetor në vitit 2017, në krye të kësaj ministrie erdhi Venko Filipçe nga LSDM-ja dhe e udhëhoqi atë për katër vjet. Pas Filipçes, ministria “shkoi në duart” e Alternativës dhe përfaqësuesit të tyre Bekim Sali, i cili e udhëhoqi këtë dikaster vetëm për një vit. Pas Salit, këtë Ministri e udhëhoqën tre kuadro të Aleancës për Shqiptarët. Mandati i Fatmir Mexhitit zgjati nga shkurti i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2024. Pas tij erdhi Ilir Demiri me një mandat pesëmujor në vitin 2024, e më pas Arben Taravari, i cili e udhëheq këtë dikaster përr herë të dytë, nga qershori i vitit 2024 deri më tani. 

Paralajmërime për qindra punësime, mungesë të terapive, listë pozitive e zgjeruar…

Ministria e Shëndetësisë konsiderohet si një nga më të rëndësishmet sipas çështjeve që i mbulon dhe sipas shumës së buxhetit vjetor që ka në dispozicion. Për këtë vit 2025, shpenzimet totale të këtij dikasteri arrijnë në 127,1 milionë euro, kurse vetëm transferimi në Fondin e Shëndetësisë arrin në gati 57 milionë euro.

Këtë vit, sektori i shëndetësisë mori 8.835.000 euro për investime kapitale, dhe pjesa më e madhe e shumës, ose 6 milionë euro, është për rikonstruksionin dhe zgjerimin e objekteve shëndetësore. Spitali i Përgjithshëm i Kërçovës dhe qendrat klinike në Shtip dhe Shkup mbetën në agjendë si projekte që presin realizim. Pothuajse 250.000 euro janë miratuar për Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës, ndërsa një shumë prej 1 8 milionë eurosh është ndarë për qendrat e reja klinike në Shtip dhe Shkup, me ç’rast pjesa më e madhe e parave do të sigurohen nga kreditë.

Në periudhën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka qenë pjesë e shumë titujve dhe analizave mediatike për arsye të ndryshme – nga lajmet për zgjerimin e listës pozitive të barnave deri te fakti se nuk kishte terapi për një pjesë të pacientëve onkologjikë.

Që nga prilli i këtij viti, u rrit pika e kapitacionit për mjekët amë, ndërsa lista pozitive e barnave, për herë të parë që nga viti 2014, është zgjeruar me nëntë barna të reja gjenerike (87 barna me emra, doza dhe qëllime të ndryshme). U paralajmëruan edhe 1.800 vende pune në sektorin e shëndetësisë, por për momentin, në realizim e sipër është punësimi i 250 specializantëve, ndërsa qindra infermiere janë në pritje të procedurës për transformim në punësim të përhershëm.

Nga ana tjetër, që nga fillimi i këtij viti, publiku u alarmua dy herë për shkak të mungesës së terapisë për një pjesë të pacientëve në në Klinikën e Onkologjisë. Ministria si shkak për këtë problem i konsideronte procedurat e tenderimit dhe, pas disa javësh vonesë, terapia u sigurua. Edhe pacientët me diabet reaguan se për një periudhë të caktuar kohore nuk kishte terapi nëpër farmaci edh epër këtë kategori pacientësh.

Një nga problemet kryesore, parkimi në Qendrën Klinike të Shkupit që është më e frekuentuara – mbeti i pazgjidhur pasi tenderi për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe nga kompania “Gjoka Construction” nga Shqipëria u anulua.

Ministria e Shëndetësisë mbetet një nga sektorët më problematikë dhe më të ndjeshëm, që e përfshin kategorinë më të cenueshme të qytetarëve – pacientët. Reformat e thella të paralajmëruara, nga profesionalizimi i udhëheqësisë e deri te rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ende presin për t’u realizuar.

Së shpejti në krye të ministrisë do të vijë ministri i 10-të për 19 vite.