Detyra e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në RMV nuk duhet të jetë vetëm teknike, duhet të komunikojë si aleat i afërt i qytetarit

Detyra e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të jetë vetëm teknike. Nevojitet më shumë komunikim i KSHZ-së me qytetarët, në aspektin e informimit të qytetarëve me procesin zgjedhor. Ky institucion duhet të komunikojë si aleat i afërt i qytetarit. Janë këto disa nga përfundimet e konferencës me titull “Qytetarë të […]

qershor 17, 2025 - 16:30
 0
Detyra e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në RMV nuk duhet të jetë vetëm teknike, duhet të komunikojë si aleat i afërt i qytetarit
"Qytetarë të informuar: Strategjia për edukim efektiv dhe informim", në Shkup, konferencë e organizuar nga KSHZ, IFES dhe ODHR në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Detyra e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të jetë vetëm teknike. Nevojitet më shumë komunikim i KSHZ-së me qytetarët, në aspektin e informimit të qytetarëve me procesin zgjedhor. Ky institucion duhet të komunikojë si aleat i afërt i qytetarit. Janë këto disa nga përfundimet e konferencës me titull “Qytetarë të informuar: Strategjia për edukim efektiv dhe informim”, që u mbajt në Shkup, të organizuar nga KSHZ, IFES dhe ODIHR në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Admir Shabani, nga KSHZ në prezantimin e tij ka theksuar se informimi dhe edukimi i qytetarëve është bazë për besim në zgjedhje. Ai veçoi se demokracia kërkon qytetarë të informuar.

Sipas tij, mosinformimi ka ndikim në rritjen e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme. Në mesin e faktorëve tjerë ai ka numëruar edhe migrimin.

“Tjerë faktorë që demotivojnë daljen: blerja e votës, presioni ndaj administratës, listat jo të mira zgjedhore. Duhet informim i saktë dhe i qartë nga ana e KSHZ. Besimi ndaj KSHZ-së ka shënuar rënie viteve të fundit. Në vitin 2016 besimi ndaj KSHZ ishte 55%, ndërsa në vitin 2024 besimi ndaj KSHZ ishte 44%. Arsyet për këtë gjendje janë ndikimet politike dhe komunikimi jo i mjaftueshëm me publikun. Sot është i domosdoshëm komunikimi me mjetet moderne, nëpër të gjitha rrjetet sociale, nga tradiocionale e deri te tiktok-u, si dhe ueb platforma, e-regjistër, rrjete sociale dhe të dhëna të hapura.

Zoran Trajçevski, nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele– ASHMAA potencoi se verifikimi i informacionit është krucial dhe ndikon në perceptimin e qytetarëve.

“Roli edukativ i mediavë është mjaft i rëndësishëm, sepse ndikon në sjelljen e vendimeve të qytetarëve. Pagesa e mediave nga ana e KSHZ, model i çuditshëm. Duhet që përmes debateve të ngritet si çështje dhe të ndryshohet ligji i zgjedhjeve. Tjetër, forma e fushatës në fesjsbuk nuk është e rregulluar. Dezinformatat në rrjete sociale vështirë zbulohen, ndërsa shumë shpejtë shpërndahen dhe ndikojnë te besimi i qytetarëve”, tha Trajçevski.

Sipas Trajçevskit është i nevojshëm edukimi mediatik. Ai ka instistuar se nuk mjafton vetëm informimi i qytetarëve, por edhe krijimi i një mendimi kritik.

“Pa qytetarë të informuar nuk mund të kemi institucione përgjegjëse. Duhet të ketë më shumë bashkëpunim ndërmjet institucioneve, sepse besimi nuk falet, por ndërtohet”, përfundoi ai.

Në panel, onlajn ka prezantuar drejtoresha e Drejtorisë për zgjedhje në Suedi, Ana Nikvist, e cila ka ndarë përvojën e saj dhe institucionit në Suedi.

“Gëzojmë besim të qytetarëve. Tentojmë të informojmë secilin. Kemi fushata të mëdha informuese. Fillimisht definojmë porosinë kryesore, pastaj të drejtën për të votuar dhe ku të gjejnë kanalet për t’u informuar detajisht. Përdorim rrjete sociale, si dhe “call center”. Shpërndajmë fletushka informimi derë më derë, përdorim gjithashtu mjetet e transportit si autobusët për t’i vendosur porositë që kanë për qëllim informimin”, tha mes tjerash Nikvist.

Rrezarta Delibashzade Krasniqi, nga Instituti D4D, përfaqësuese e sektorit civil nga Republika e Kosovës vuri në pah perspektivat e sektorit civil në ndërtimin e besimit në zgjedhje përmes edukimit gjithëpërfshirës të votuesve dhe informimit të opinionit.

“Kemi nënshkruar Memorandum bashkëpunimi ndërmjet institucioneve. Takohemi me subjektet politike. Organizojmë çdo vit simulime të zgjedhjeve, me qëllim që t’i mbajmë të informuar qytetarët . Jemi të koordinuar dhe bashkëpunojmë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Këtë viti kemi zgjedhje lokale, që do të mbahen në dhjetor, ndërkaq ne tashmë e kemi nisur fushatën e informimit”, theksoi Delibashzade Krasniqi.

Kujtojmë se, në periudhën e procesit zgjedhor (2024) Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka formuar gjithsej 65 lëndë, të cilat janë rezultat i paraqitjeve për  dyshime për shkelje të kryera të Kodit zgjedhor dhe Ligjit për parandalimin e korrupsionit, lëndë të formuara me nismë personale të Komisionit, si dhe ankesës të parashtruar nga organizatori i fushatës zgjedhore.