Deklarata dhe premtime pa zgjidhje, në Tetovë vazhdon bllokimi i trotuareve nga kafenetë dhe restorantet

Pavarësisht zotimeve të Komunës së Tetovës se do të intervenojnë për lirimin e trotuareve nga karriget dhe tavolinat të cilat i nxjerrin kafiteritë dhe restorantet, kjo në terren nuk po ndodhë. Shumë trotuare vazhdojnë të ngelen të ‘uzurpuara’ ku pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve, shkruan Portalb.mk.  Shumë kafene dhe restorante në Tetovë vazhdojnë të […]

qershor 12, 2025 - 14:45
 0
Deklarata dhe premtime pa zgjidhje, në Tetovë vazhdon bllokimi i trotuareve nga kafenetë dhe restorantet
Tavolina dhe karrige të lokaleve që bllokojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht zotimeve të Komunës së Tetovës se do të intervenojnë për lirimin e trotuareve nga karriget dhe tavolinat të cilat i nxjerrin kafiteritë dhe restorantet, kjo në terren nuk po ndodhë. Shumë trotuare vazhdojnë të ngelen të ‘uzurpuara’ ku pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve, shkruan Portalb.mk. 

Shumë kafene dhe restorante në Tetovë vazhdojnë të bllokojnë trotuaret dhe rrugët duke vendosur karrige dhe tavolina, kështu duke penguar lëvizjen e lirë nëpër hapsirat publike. 

Qytetarët ankohen se nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër rrugë ndërkaq ka alarmuar edhe shoqëria civile. 

Disa nga këto lokale kanë lidhje me zyrtarë publikë aktual dhe të kaluar, si dhe funksionarë apo persona që kanë lidhje me parti të ndryshme.

Komuna e Tetovës me muaj nuk ia dorëzon Portalbit listën e lokaleve të cilat kanë leje për tarraca, sa hapsirë kanë të lejuar dhe sa paguajnë. 

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami vazhdimisht ka deklaruar se Inspektorati Komunal do të intervenojë dhe trotuaret do të lirohen, megjithatë në terren situata mbetet e pandryshuar.

Të njëjtën ai e përsëriti edhe dje kur u pyet nga Portalb.mk se pse nuk intervenon Inspektorati Komunal. 

“Janë disa me të cilët jemi në komunikim në përditshmëri, po patjetër, po punojmë që të lirohen hapsirat publike edhe unë besoj se do të lirohen edhe aty edhe në lokacionet tjera. Është procedurë e inspektoratit, kemi pasur situata tjera ku është vepruar pa pasur procedura të mbyllura administrative dhe kemi pasur pasojl inspektorët, pra ne i ecim procedurat administrative, në të njëjtën kohë punojmë që të gjejmë zgjidhje, pra do të lirohen, unë garandtoj se do të lirohen edhe ato hapsira”, tha Kasami. 

Ai shtoi se në disa raste është intervenuar në bashkëpunim edhe me institucione tjera, me Policinë, Inspektoratin e Tregut, Drejtorinë e të Hyrave Publike.

“Ka pasur raste kur këto tavolina janë konfiskuar, është fakt që ka pasur kështu situata ku ka intervenuar inspektorati, janë larguar dhe janë kthyer prapë. Është luftë permante për shkak të tendencës permanente nga disa biznese private që të shfrytëzojnë jashtë ligjit hapsirat publike, lufta jonë është e përditshme dhe gati në përditshmëri, gati çdo javë kemi aksione të inspektoratit, nëse nuk kanë efekt vetëm aksionet e inspektoratit, ne do t’i përsëritim ato aksionet e koordinuara edhe me institucionet tjera edhe për konfiskim të atyre tavolinave”, tha Kasami. 

Ai shtoi se nuk e di se ku janë hapsirat që pengohet drejtpërsëdrejti lëvizja e qytetarëve jashtë disa lokacioneve që janë rreth lumit. 

“Në një pjesë janë me leje, aty ku i plotësojnë kushtet, ku nuk pengohet lëvizja e qytetarëve, edhe në trotuar aty ku ka hapsirë janë me leje si tavolina apo tarraca të hapura, por pjesën më të madhe ku e pengojnë lëvizjen e qytetarëve, ne kemi intervenuar dhe nuk është ashtu si ka qenë situata. Po edhe në trotuar (jepet leje) aty ku ka më shumë se 1 metër e gjysmë hapsirë, që të lejohet së paku një metër e gjysmë të jetë trotuar, edhe në ato pjesë ku ka kushte jepet pra për tavolina dhe në trotuare ashtu si në shumicën e vendeve evropiane”, tha Kasami. 

Më poshtë mund të ndiqni deklaratën e plotë të Kasamit dhe pyetjet e gazetarëve. 

Përveç uzurpimeve dhe bllokimeve nga kafenetë dhe restorantet, ky problem është i përhapur edhe nga bizneset, marketet dhe shitoret e ndryshme. 

Problem tjetër mbetet edhe uzurpimi i hapsirave për parkingje publike nga ana e bizneseve para lokaleve të tyre.