BDI: Shetit ka humbur pothuajse 40 milionë euro nga Plani i Rritjes, ky lajm po kalon në heshtje

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon se në hije të debaklit të madh  në Parlamentin Evropian, po kalon në heshtje lajmi se shteti ka humbur pothuajse 40 milionë euro nga Plani për Rritje i Bashkimit Evropian, duke shtuar se këto mjete nuk ishin simbolike, transmeton Portalb.mk. “Ato ishin të destinuara për mbështetjen e reformave që ndikojnë […]

Korrik 4, 2025 - 11:30
 0
BDI: Shetit ka humbur pothuajse 40 milionë euro nga Plani i Rritjes, ky lajm po kalon në heshtje
Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Oleksandr Filon në Canva

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon se në hije të debaklit të madh  në Parlamentin Evropian, po kalon në heshtje lajmi se shteti ka humbur pothuajse 40 milionë euro nga Plani për Rritje i Bashkimit Evropian, duke shtuar se këto mjete nuk ishin simbolike, transmeton Portalb.mk.

“Ato ishin të destinuara për mbështetjen e reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë, energjetikën, arsimin dhe standardin jetësor të qytetarëve. Por paaftësia, mungesa e koordinimit dhe kaosi institucional u bënë pengesë edhe për tërheqjen e fondeve tashmë të aprovuara. Ministria e Energjisë ka marrë vlerësim negativ nga Brukseli për reformat që duhej të zbatoheshin deri në dhjetor 2024, duke e lënë shtetin pa 2.1 milionë euro. E njëjta ministri nuk i ka përmbushur as detyrimet për qershor 2025, duke humbur edhe të paktën 10 milionë euro të tjera. Ndërkohë, edhe Ministria e Financave ka dështuar në të njëjtën mënyrë, duke humbur pjesën më të madhe të 4.2 milionëve të parashikuara. Tre ministri, tre institucione kyçe dhe asnjë ndjenjë urgjence apo përgjegjësie”, thonë nga BDI.

BDI shton Maqedonia e Veriut duhej të merrte 17 milionë euro për reformat deri në dhjetor dhe edhe 70 milionë euro për obligimet e qershorit. Në vend të kësaj, ata shtojnë se kemi një arkë reformash bosh, kredibilitet të humbur dhe një përulje të rëndë para partnerëve evropianë.

“Në një kohë kur rajoni përparon, shteti ynë vetë po i vë pengesa vetes, duke bllokuar rrugën jo vetëm drejt BE-së, por edhe drejt normalitetit. Ky është një model qeverisjeje që prodhon ngecje, pasiguri dhe dëm ekonomik. Qeveria nuk e ka humbur vetëm besimin e Brukselit, ajo po e humb edhe besimin e vet qytetarëve. Askush nuk mund të flasë për zhvillim dhe mirëqenie, ndërkohë që bllokon fondet që janë të merituara, jo të dhuruara. BDI kërkon një sqarim urgjent: kush është përgjegjës për këtë humbje dhe çfarë do të ndërmarrë Qeveria për të mos lejuar një katastrofë tjetër? Sepse një shtet që nuk di t’i shfrytëzojë mundësitë, nuk ka të drejtë të ankohet për pengesat. Dhe ndërkohë që qytetarët përballen me kosto të rritura, inflacion dhe kaos institucional, Qeveria lejon që 40 milionë euro të avullojnë, pa zë, pa reagim. Kjo nuk është reformë. Kjo është vetëshkatërrim”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga ana tjetër, autoritet në vend kanë deklaruar se paratë nga Plani i rritjes nuk janë në rrezik. Përqindja e përfundimit të Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në qershor do të jetë pak më e ulët se në dhjetor, tha ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani më 30 qershor, me rastin e një vjetorit të qeverisë. Megjithatë, Murtezani beson se fondet evropiane nuk janë nën kërcënim, por tha se ato potencialisht mund të jenë nëse reformat nuk përfundojnë me sukses brenda afatit shtesë njëvjeçar.

“Kjo do të thotë që në qershor 2026 ato do të jenë në rrezik sepse atëherë do t’i humbasim, ndërsa deri atëherë fondet do të jenë në dispozicion për ne”, tha Murtezani.

Lidhur me pesë hapat me afat deri në dhjetor, i cili u zgjat deri në shkurt 2025, Murtezani tha se pritet raporti formal, i cili duhet të jetë gati deri në fund të muajit, por që nuk është dhënë që atëherë asnjë njoftim. Ai shtoi se burimet financiare të planifikuara për reformat do të shpërndahen sipas suksesit të zbatimit të tyre. Lidhur me reformat me afat deri në qershor 2025, ministri bëri thirrje për të pritur edhe një ditë.

“Javën e kaluar dhe sot jemi në komunikim intensiv me të gjitha institucionet. Ajo që ishte një dobësi herën e fundit… do të thotë se të gjitha udhëzimet për finalizimin e hapave mbërritën tekstualisht pas afatit për zbatimin e reformave. Tani ka një pamje pak më të qartë, por një pamje më e qartë do të thotë një proces edhe më kompleks”, tha Murtezani.

Ai shtoi se paraprakisht, mesatarja e përgjithshme në rajon për përmbushjen e agjendës së reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor është rreth 50-60 përqind zbatim i suksesshëm.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Shtatë përqind ose 52.5 milionë euro janë para që shtetet i marrin paraprakisht për të zbatuar këto reforma. Ato RMV-së i janë paguar tashmë në mars të këtij viti. Pjesa tjetër do të vijë në këste, varësisht nëse shteti do t’i përmbushë reformat brenda afatit të premtuar. Secila prej 136 aktiviteteve ka afat të caktuar. Nëse qeveria e përfundon aktivitetin brenda këtij afati, ajo i dërgon një raport Komisionit Evropian, i cili përfshin edhe dëshmi të punës së bërë. Komisioni, brenda pesëmbëdhjetë ditësh, e shqyrton dhe vlerëson progresin dhe, nëse është i kënaqshëm, e miraton pagesën e parave. Nëse një detyrim nuk përmbushet në kohë, ka një periudhë prej një viti në të cilën vendi mund ta korrigjojë atë. Për të përdorur plotësisht fondet, reformat duhet të përfundojnë deri në dhjetor 2027.