BDI: Mosrespektimi i gjuhës shqipe, pasqyrë e një qeverie që refuzon realitetin multietnik të shtetit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj mospërdorimit të gjuhës shqipe në komunikimet zyrtare të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si një qasje The post BDI: Mosrespektimi i gjuhës shqipe, pasqyrë e një qeverie që refuzon realitetin multietnik të shtetit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj mospërdorimit të gjuhës shqipe në komunikimet zyrtare të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si një qasje përjashtuese dhe shkelje të rëndë të ligjit dhe parimeve të bashkëjetesës.
“Përdorimi i barabartë i gjuhëve zyrtare nuk është çështje teknike apo preferencë politike, është obligim ligjor, vlerë e bashkëjetesës dhe bazë e rendit demokratik,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë, qytetarët shqiptarë ndihen të përjashtuar nga e drejta për qasje të barabartë në informacionet publike që burojnë nga institucionet shtetërore.
“Mungesa e shqipes, përkthimeve, përditësimet e vonuara dhe faqet zyrtare të paplotësuara në gjuhën shqipe janë dëshmi të qarta të një qasjeje përjashtuese që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve,” thekson më tej kumtesa.
BDI shpreh shqetësim të veçantë për, siç e cilëson, “selektivitetin e qëllimshëm” të institucioneve, që sipas saj “për tema të tjera reagojnë dhe informojnë menjëherë, por kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe, përgjigjja është heshtje dhe injorim.”
“Kjo nuk është mungesë kapaciteti, por mungesë vullneti,” vlerëson BDI, duke rikujtuar se respektimi i gjuhës shqipe është pjesë integrale e të drejtave qytetare dhe e identitetit shtetëror multietnik.
Në përfundim, partia i bën thirrje Qeverisë që të reflektojë dhe të marrë masa të menjëhershme:
“U bëjmë thirrje institucioneve që gjuhën shqipe ta shohin si pasuri të përbashkët dhe si detyrim që forcon unitetin e shtetit. Nëse kjo qeveri nuk është e gatshme të respektojë një nga shtyllat kryesore të funksionimit të saj, atëherë e ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr një shtet multietnik dhe evropian.”
BDI paralajmëron se do të ndjekë nga afër këtë çështje dhe do të kërkojë llogari nga institucionet për këtë qasje diskriminuese ndaj gjuhës shqipe. Flaka Media
The post BDI: Mosrespektimi i gjuhës shqipe, pasqyrë e një qeverie që refuzon realitetin multietnik të shtetit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .